Maqedoni

Rasti "Monstra", kërkesë e re për ekstradimin e dy të dënuarve, shpërbërja e Këshillit Gjyqësor, Prokurorëve

31.07.2024 15:38

Ndër angazhimet e para të ministrit të drejtësisë, Igor Fillkov...

Ndër angazhimet e para të ministrit të drejtësisë, Igor Fillkov, ka qenë përgatitja e kërkesës për ekstradimin e dy të dënuarve në rastin "Monstra", Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët ndodhen në Kosovë. Megjitatë Fillkovi nuk ishte i qartë se kur do të kërkojë ekstradim edhe për ish-kryeministrin Nikolla Gruevskin nga Hungaria. Kërkesa e fundit për ekstradimin e tij është nga viti 2019.
 
“Ministria e Drejtësisë me vëmendje të madhe po i ndjek të gjitha rastet dhe këtu nuk është përjashtim vetëm Nikolla Gruevski për të cilin kërkohet ekstradim. Edhe në këtë rast, sikurse edhe në raste të tjera për ekstradim, po ndiqen me kujdes dhe kur të krijohen kushte për të, sigurisht se do të kërkojmë ekstradim, por jo në mënyrë tendencioze drejt një personi të caktuar, por për të gjithë që janë jashtë vendit dhe kërkohen me fletarrest ndërkombëtar.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
 
I pyetur se pse po kërkohet ekstradimi nga Kosova pikërisht tani, në periudhën e njëjtë kohore kur kërkohet ekstradimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, Filkov u përgjigj se "duhet të fillojmë diku". Sa i përket qëndrimeve të kryeministrit Hristijan Mickovski për shpërbërje të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve, Fillkovi është për debat të gjerë.
 
“Jam i gatshëm të hap debat të gjerë në këtë temë dhe do të bisedojmë me ekspertë dhe opinionin e gjerë maqedonas dhe do të arrijmë në një vendim të përbashkët.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
 
Mickoski: Nuk dorëzohem, pres ide
 
Ndërkohë kryeministri Mickoski ripërsëriti se vazhdon të kërkojë shpërbërje të këtyre dy organeve të rëndësishme gjyqësore. Tha se këtë ia obligon rezultati zgjedhor, ndërsa është e hapur mundësia për ide.
 
“Unë nuk dorëhiqem nga shpërbërja e Këshillit Gjyqësor si reformë dhe nga shpërbërja e Këshillit të Prokurorëve Publik. Në mënyrë dëshpëruese pres propozime. Të gjithë në shtet e dimë se kush janë ata në gjyqësor që janë të korruptuar. Ne nëse bëhemi para syve të verbër dhe para veshëve të shurdhër në rregull, por jo nuk është në rregull, për shkak të fëmijëve, për gjeneratat e ardhshme. Unë aq di  dhe do të luftoj për atë që e di.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve si zgjidhja e vetme aktuale e propozuar nga Qeveria për kthimin e besimit në gjyqësor nuk është pranuar pozitivisht nga ambasadori i BE-së dhe ajo e ShBA-së, të cilët nuk mbështesin idenë për shpërbërje kolektive.
 
FLORIJE KAMBERI