Maqedoni
LSDM, kritika ndaj Qeverisë për situatën me zjarret, Mickoski: Kemi trashëguar situatë katastrofale
31.07.2024 16:01
Partia opozitare LSDM ka vazhduar me akuzat drejt Qeveris...

Partia opozitare LSDM ka vazhduar me akuzat drejt Qeverisë në lidhje me situatën e zjarreve. Sipas kësaj partie, Qeveria e Mickoskit dhe institucionet kompetente kanë dështuar në përballjen me zjarret në të gjithë vendin, ku koordinimi i ndihmës nga ajri dhe vonesa me orë të tëra potencohet si hallka më e dobët në luftën me stuhitë e zjarrit.
Kërkojnë që kryeministri Mickoski dhe ministri i Brendshëm të shfaqen në terren ku edhe janë aktive zjarret.
“Qytetarët nga terreni theksojnë se zjarrfikësit veprojnë me kohë dhe po luftojnë me zjarrin, por në të njëjtën kohë vërejnë reagimin e ngadaltë të ndihmës nga ajri dhe vonesë me orë të tëra. Vetëm drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov, është vazhdimisht në terren, por pse nuk janë Toshkovski dhe Mickoski? Mickoski duhet të kuptojë se ka përgjegjësi dhe duhet të veprojë dhe të mos flejë, të shfaqet në terren, të përmirësojë koordinimin e aeroplanëve dhe efikasitetin e institucioneve.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
I pyetur për këto akuza, Mickoski tha se parapëlqen të flas me fakte ku potencoi se ka trashëguar një situatë katastrofike, pa asnjë helikopter për shuarjen e zjarreve dhe pa burime njerëzore, por megjithatë sipas tij kanë arritur që të menaxhojnë të gjithë situatën me zjarret.
“Zjarri më serioz ishte më 10 korrik. Atëherë si ishte situatë faktike, helikopterët për këtë lloj të situatave ishin në servis, aeroplanët ishin tërhequr për shkak të defekteve, ndërsa pilotët në pension. Falë njësive të vetëqeverisjes lokale, komunës dhe disa personave, në atë moment filloi lufta kundër zjarrit. Helikopterët u kthyen për përdorim, aeroplanët u bënë funksionalë, i rikthyem pilotët dhe në një moment nga asgjë kishim tre aeroplanë, tre helikopterë, qindra zjarrfikës dhe qytetarë vullnetarë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski shprehi shqetësim se një pjesë e madhe e zjarreve janë të shkaktuara me qëllim, por edhe nga pakujdesia. Ju bëri thirrje qytetarëve që të mos organizohen vet në shuarjen e zjarreve për shkak se mund të ndodhë që dikush të humbë edhe jetën, ndërsa tani për tani, sipas tij është i mjaftueshëm numri i zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të MPB-së.
GAZMEND KURTISHI
