Maqedoni
Ribalanci i buxhetit, refuzohen amendamentet e “Frontit Evropian”
31.07.2024 16:24
Ka vazhduar edhe në ditën e tretë me radhë debati në Komisionin për financim dhe buxhet...

Ka vazhduar edhe në ditën e tretë me radhë debati në Komisionin për financim dhe buxhet rreth ribalancit të Buxhetit për vitin 2024. Edhe në këtë seancë janë shqyrtuar shumë amendamente të cilat ishin dorëzuar nga ana e “Frontit Evropian”, e të cilat edhe sot janë refuzuar nga ana e Ministrisë së Financave, gjë e cila i ka revoltuar deputetët e “Frontit Evropian”.
“Nuk është punë gare se kush i propozon amendamentet, por me rëndësi është që të kalojnë, të bëhen pjesë e buxhetit dhe të realizohen. Ka mjete dhe ka mundësi që përfaqësuesi i Qeverisë pa legjitimitet etnik, gjegjësisht zëvendësministri këtu që është i pranishëm dhe ju të gjithë, mund që të ndikoni, dhe mos të hidhet një sy apo një mjegull e madhe para syve të opinionit se me mjetet nga Hungaria do të lulëzojë zhvillimi infrastrukturor nëpër komuna.”, - deklaroi deputeti i “Frontit Evropian”, Blerim Bexheti.
Por, në këtë ka reaguar deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
“Pa dashur të kalojmë në replika të niveleve e të bindjeve se çka është realizuar, unë dua vetëm ta rikujtoj kolegun tim, Blerim Bexhetin, për disa prej projekteve të cilat kanë pasur mundësi të kalohen me një komoditet në mandatet paraprake derisa kanë qenë. 60 për qind e shkollave fillore në komunën e Likovës ende i kanë gurthemelet nga mbretëria serbo-kroato-sllovene. Ua rikujtoj se kuadër të komunës së Likovës kemi dy penda, por komuna e Likovës akoma nuk ka ujë për pije.”, - theksoi deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
“Dua që kolegun Rijad Shaqirin ta inkurajoj që t’i radhitë projektet të cilat nuk janë realizuar, por njëkohësisht edhe të lodhet duke i radhitur edhe projektet të cilat janë realizuar në shumë komuna. Urdhëro, bindi kolegët tuaj, që së paku një amendament për komunën e Likovës ta kalojmë e të tjerat mund t’i tërheqim.”, - u shpreh deputeti i “Frontit Evropian”, Blerim Bexheti.
“Sido që të jetë, ne e shohim se këtu ka një tendencë për një poentim politik, por ribalanci i buxhetit është çështje e definuar edhe me ligj.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
Por, Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE-ja tha se pjesë e ribalancit janë 100 milionë euro për komunat.
“Nuk mendoj se diskutimi në një narrativ të tillë politik, është e vërtet se me këtë ribalancë sigurohen 100 milionë, të cilat deri në fund të vitit do të vendosen në shërbim të komunave, ndërsa në buxhetin e vitit 2025 edhe plus 250 milionë euro të tjera.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Debati i amendamentit duhet të përfundojë për gjashtë ditë. Për ribalancin e Buxhetit janë parashtruar 58 amendamente, por gjatë debatit një pjesë e tyre janë tërhequr nga propozuesit. Komisioni deri më tani nuk ka pranuar asnjë amendament të ri.
Ndryshe, të ardhurat e përgjithshme në ribalancin e buxhetit janë planifikuar në 318.2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 362.8 miliardë denarë.
Rritja e BPV-së është projektuar në 2.1 për qind, inflacioni në nivel prej 3.5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 4.9 për qind. Nga shumica parlamentare presin që ribalancimi i Buxhetit të miratohet në javën e dytë të gushtit.
FITIM KRYEZIU
