Botë
Gazë, është vrarë lideri i Hamasit, Ismail Hanijeh
31.07.2024 18:46
Është likuiduar Ismail Hanijeh, lideri politik i grupit ekstremist palestinez...

Është likuiduar Ismail Hanijeh, lideri politik i grupit ekstremist palestinez, kanë konfirmuar nga Hamasi. Sipas tyre, Hanijeh u vra në një sulm ajror izraelit në rezidencën e tij në Iran. Ai ishte në Teheran për inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur iranian, Masud Pazeshkian. Ndërkohë presidenti palestinez Mahmud Abas dënoi vrasjen e liderit të Hamasit.
“Në orët e para të mëngjesit është goditur rezidenca e Ismail Hanijeh në Teheran. Një nga truprojat e tij gjithashtu vdiq. Shkaqet e këtij incidenti janë duke u hetuar dhe rezultatet do të bëhen të ditura më vonë. Garda Revolucionare shpreh ngushëllimet e saj për heroin e kombit palestinez.”, - theksoi një prezantues i televizionit kombëtar të Iranit.
Nga pala izraelite ende nuk ka asnjë konfirmim për likuidimin e Hanijehit, madje as sekretari amerikan i Shtetit për Mbrojtjen, Austin nuk ka dashur të komentojë vrasjen. Por ai përsëriti mbështetjen e ShBA-së për Izraelin në kushtet e përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
“Nuk kam asgjë për të shtuar për këtë. Ju duhet ta keni dëgjuar njoftimin, por nuk kam informacion të mëtejshëm. Më dëgjuat edhe dje, nëse sulmohet Izraeli, sigurisht që do të ndihmojmë në mbrojtjen e tij.”, - deklaroi sekretari i shtetit për Mbrojtjen e ShBA-së, Llojd Austin.
Por, pala izraelite konfirmoi eliminimin e Fuad Shukurit, komandantit të Hezbollahut, për të cilin Tel Avivi pretendon se qëndron pas sulmit me raketa në lartësitë Golan që vrau 12 adoleshentë izraelitë.
“Fuad Shukur ishte një terrorist që ka në duart e tij gjakun e izraelitëve dhe shumë njerëzve të tjerë. Agresioni i vazhdueshëm dhe sulmet brutale të Hezbollahut e tërheq popullin e Libanit dhe të gjithë Lindjen e Mesme në një përshkallëzim të gjerë.”, - u shpreh zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Hezbollahu mohoi përfshirjen në sulm, por Izraeli u zotua për hakmarrje kundër grupit militant libanez.
BELINDA KOKA ADEMI
