Maqedoni

VLEN: Akademia Shqiptare ishte premtim parazgjedhor

01.08.2024 14:50

Akademisë Shqiptare nuk ka për qëllim që t’u shkaktojë dëme politike partnerëve të koalicionit...

Akademisë Shqiptare nuk ka për qëllim që t’u shkaktojë dëme politike partnerëve të koalicionit, por me këtë VLEN-i po i mban premtimet ndaj votuesve. Kështu deklaroi Bashkim Murtezi nga koalicioni VLEN, i cili ka njoftuar për mbledhjen e trupit operative politik të koalicionit VLEN, i cili ka diskutuar rreth zhvillimeve aktuale, duke e përfshirë nismën për Akademinë Shqiptare.
 
Krijimi i Akademisë Shqiptare është rezultat i situatave negative në vend pasi në disa institucione ende nuk ka vend për shqiptarët, ka thënë Murtezi, i pyetur rreth reagimeve të partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe Lëvizjes “E di”, të cilët janë shprehur kundër themelimit të Akademisë. 
 
“Ne kemi mirëkuptim për qëndrimin e partnerëve tanë pasi çështja e krijimit të Akademisë Shqiptare është e ndjeshme për maqedonasit, por qëndrimi ynë si VLEN nuk është që t’u shkaktojmë dëm politik partnerëve tanë të koalicionit, por të zbatojmë ato që kemi premtuar para votuesve tanë. Ne nuk do t’i përshtatim përpjekjet tona programore për hir të komoditetit tanë në Qeveri. Marrëveshja për formimin e Qeverisë është e qartë për disa çështje që sensibilizojnë lart njërin opinion, si përfaqësimi i drejtë në institucione për shqiptarët apo çështja e Akademisë Shqiptare për maqedonasit. Të ngrihet iniciativa dhe të përpiqemi të gjejmë zgjidhje të përbashkëta dhe të pranueshme. Kështu funksionin çdo qeveri demokratike e përbërë nga parti me përbërje të ndryshme ideologjike e politike.”, - deklaroi Bashkim Murtezi nga VLEN.
 
Qëllimi i VLEN-it nuk është formimi i institucioneve paralele, pasi siç tha Murtezi, çdo nismë në shikim të parë dukej si institucion paralel. Kështu ishte edhe me themelimin e Universitetit të Tetovës, për çka kishte reagime, por tani jemi dëshmitarë se në atë universitet studiojnë edhe maqedonas dhe ligjërojnë edhe profesor maqedonas, prandaj nuk ka ndarje dhe paralelizëm, por ngritje të institucioneve më të fuqishme në këtë drejtim, tha Murtezi.
 
Por, një ditë më parë kreu i Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski, tha se me këtë ide, VLEN-i po nxit destabilizimin e Qeverisë dhe largimin e saj nga Qeveria. Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski e ka quajtur folklor dhe manovrim politik idenë e partnerëve të koalicionit për Akademinë Shqiptare.
 
FLORIJE KAMBERI