Maqedoni

Gjykatësi i procedurës paraprake: Lirohet nga paraburgimi kosovari, Ramadani

01.08.2024 15:13

Lirohet nga paraburgimi në Maqedoninë e Veriut ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani...

Lirohet nga paraburgimi në Maqedoninë e Veriut ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i cili ishte arrestuar me fletarrest ndërkombëtar nga Serbia. Sipas vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake në Shkup, Pajazit Pajaziti, me kërkesë të avokatit mbrojtës, shtetasi i Kosovës Blerim Ramadani, mund të mbrohet në liri deri në përfundimin e procedurave gjyqësore.
 
Ramadani deri në kryerjen e procedurave të mëtejshme nga një gushti i vitit 2024 deri më 16 gusht të vitit 2024 do të ketë lejeqëndrim të përkohshëm në Shkup.
 
Ish-anëtari i Zonës Operative të Nerodimës së UÇK-së, Blerim Ramadani, ishte ndaluar me kërkesë të Interpolit të Serbisë. Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, por edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë kërkuar nga autoritetet në Shkup lirimin e Ramadanit, pasi ai si shumë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, kërkohen me fletarreste ndërkombëtare nga Serbia.
 
Nga koalicioni VLEN që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, kanë premtuar angazhimin e tyre për lirimin e Ramadanit, përkatësisht mosekstradimin e tij në Serbi. 
 
GYLTENE SINANI