Maqedoni
Gjendja me zjarret në RMV, 9 zjarre aktive, 30 të shuara, 4 nën kontroll
01.08.2024 15:36
Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend...

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në tërë territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 43 zjarre në ambiente të hapura. Prej tyre 30 janë tërësisht të shuara, 4 janë duke u mbajtur nën kontroll, ndërsa 9 të tjera janë ende aktive. Në mesin e zjarreve të shuara është edhe zjarri i madh në Pehçevë, i cili ditë më parë shkrumboi një pjesë të konsiderueshme të zonës malore.
Por, pavarësisht kësaj, në fshatin Negrevë të Pehçevës sot rezultojnë të jenë aktive disa vatra më të vogla. Situata me zjarret në Kumanovë është duke u normalizuar. Gjendja më e rëndë me zjarret paraqitet në dy lokacione në Negoriçan të Vjetër, një në Kratovë, në tre lokacione në Makedonski Brod, me nga tre në Shën Nikollë dhe Probishtip dhe një në Plasnicë.
“Unë tashmë katër ditë me radhë me traktorët tanë po marrim pjesë në shuarjen e zjarreve këtu dhe aktualisht jemi duke i shuar zjarret përgjatë kësaj kodre.”, - tha një banor.
“Fshati ishte i rrezikuar nga zjarret, mirëpo me organizim të mirë nga të gjitha anët sot situata është pak më ndryshe se dje.”, - tha një banor tjetër.
“Unë tani u ktheva të mbush pak ujë dhe do të kthehemi përsëri. Situata me zjarret ishte kritike në hyrje të fshatit, mirëpo sot është pak më e qetë. Ishte kritike, tani situata pak është më e qetë.”, - u shpreh një banor.
Në të gjitha këto vende, ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, të armatës, policisë dhe vullnetarëve po intervenojnë mbi to, ndërsa i bashkëngjiten edhe disa helikopterë të tjerë dhe katër aeroplanë të cilët janë pjesë e mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.
“Unë shpresoj se gjatë ditës së sotme, do t’i vëmë nën kontroll të gjitha vatrat në këtë rajon. Mirëpo mos harroni se është ende herët dhe se shpresojmë se nuk do të fryjë era. Pavarësisht kësaj, ne kemi ekipe të mjaftueshme dhe jemi përgatitur të intervenojmë mbi të gjitha zjarret që do të mund të përhapen.”, - theksoi kryetari i komunës së Shën Nikollës, Dejan Vladev.
Një helikopter nga Çekia ka arritur në vend, ndërsa në pritje për të ardhur janë edhe tre aeroplanë të tjerë të ashtuquajtura nga shteti gjerman.
Maqedonia e Veriut tashmë tre javë më radhë po lufton me stuhitë e mëdha me zjarret, për të cilën autoritetet e vendit dyshojnë se janë shkaktuar si pasojë e zjarrvënies nga faktori njeri. MPB-ja veç më ka disa të dyshuar për këtë çështje, ndërsa të mërkurën një person nga Radovishi është privuar nga lira për shkak të dyshimit për zjarrvënie.
REXHEP QAMILI
