Maqedoni
Rishikimi i Buxhetit 2024, debati për amendamentet vazhdon
01.08.2024 16:00
Në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet sot vazhdon debati...

Në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet sot vazhdon debati për shqyrtimin e amendamenteve të propozuara, të cilat kanë të bëjnë për ribalancin e buxhetit për vitin 2024. Gjithsej ishin dorëzuar 58 amendamente, ku 20 prej tyre ishin pranuar, ndërsa një pjesë prej tyre ishin tërhequr nga vet propozuesit.
Pothuajse të gjitha amendamentet e propozuara nga “Fronti Evropian” nuk ishin pranuar, por propozimi për ndërtimin e një çerdhe fëmijësh në komunën e Sarajit gjeti mbështetjen e deputetëve të VLEN-it, por jo edhe të Ministrisë së Financave dhe deputetëve tjerë të shumicës. Por, edhe pse deputetët shqiptarë të të dyja fronteve gjetën ujdinë për këtë amendament, kjo nuk nënkuptoi edhe largim në drejtim të shkëmbimit të akuzave dhe kundërakuzave ndaj njëri-tjetrit.
“Me këtë amendament propozohet që të sigurohen mjete në shumë prej 48 milionë e 381 mijë denarë për ndërtimin e çerdhes në fshatin Sfillare e poshtme, komuna e Sarajit.”, - deklaroi deputetja e “Frontit Evropian”, Arbana Pasholli.
Rijad Shaqiri nga VLEN-i theksoi se ky amendament do ta marrë mbështetjen e tyre, por sipas tij është e pakuptimtë në shekullin 21 të flitet për çerdhe në një komunë, e cila është udhëhequr tradicionalisht nga BDI-ja, por kjo parti ka pasur edhe ministrat shqiptarë.
“Edhe për kundër faktit që jetojmë në shekullin 21, ku çështja e çerdheve dhe çështja e shkollave duhet të jetë veç më e absolvuar, nuk do mend se këtu kemi një dështim të menaxhimit të komunës. Sido që të jetë, si grup parlamentar i koalicionit VLEN do t’i japim mbështetje këtij amendamenti.”, - theksoi deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
Por, kjo mbështetje nuk ishte e mjaftueshme për deputetët e Frontit, ku sipas Arbana Pashollit, koalicioni VLEN duhet t’i ndjekë hapat e BDI-së për sa u përket investimeve në institucionet parashkollore dhe shkollore.
“Mendoj që duhet t’i ndiqni hapat e BDI-së për sa i takon investimeve qoftë në institucionet shkollore, qoftë në avancimin e çështjeve, për sa i takon kësaj problematike. Por, mua më duhet të shpreh një shqetësim se realisht po shohim dhe të dhënat tregojnë se ka zvogëlim të investimeve në ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme.”, - u shpreh deputetja e “Frontit Evropian”, Arbana Pasholli.
“Prej vitit 2002 komuna e Sarajit udhëhiqet nga kuadrot e BDI-së, kështu që pas 24 viteve të bisedojmë për hapjen e çerdheve. Unë besoj se edhe ju jeni dakord me këtë pjesë se kemi pasur 24 buxhete, që kanë kaluar apo mund të jenë edhe 24 ribalance të buxheteve të cilat kanë kaluar dhe asnjëherë nuk e kanë parë të rrugës që të ndërmerret një iniciativë e tillë me të vetmin qëllim që të krijohen kushte më të mira për foshnjat.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
Debat të ashpër kishte edhe mes deputetëve të LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së, për sa u përket kërkesës nga ana e deputetëve të LSDM-së për rritjen e mjeteve për ushqimin e studentëve. Sipas pritjeve të shumicës qeveritare, ribalanci duhet të miratohet në javën e dytë të muajit gusht.
Për deputetët e shumicës parlamentare, ribalanci është për shpëtim të shtetit, sepse mjetet në Buxhet ishin planifikuar vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit, ndërsa vlerësimi i opozitës është se ribalanci është përshtatur për t’i plotësuar marrëveshjet e koalicionit dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kursimi.
FITIM KRYEZIU
