Maqedoni

Myftinia e Tetovës i bën thirrje BFI-së, të tërhiqet vendimi për shkarkimin e Nesimit, BFI- ja, nuk e ndryshon vendimin

01.08.2024 17:09

Myftinia e Tetovës i bën thirrje BFI-së Shkup, të tërheqë vendimin për shkarkimin e paligjshëm...

Myftinia e Tetovës i bën thirrje BFI-së Shkup, të tërheqë vendimin për shkarkimin e paligjshëm, siç e quajnë ata, të myftiut të deritanishëm prof. dr. Qani Nesimit dhe tërheqjen e vendimit për emërimin e UD myftiut Selver Xhemaili.
 
Një listë me nënshkrime nga hoxhallarë dhe anëtarë të këshillave të xhamive të Myftinisë së Tetovës, të cilët kundërshtojnë vendimin, u drejtuan në zyrat e BFI-së në Shkup, pasi siç thonë ata, nuk kanë marrë akoma asnjë përgjigje nga ky institucion. 
 
“Kanë kaluar disa muaj dhe nuk jeni përgjigjur pas daljes nga vendimi i Gjykatës Themelore Civile në Shkup, më datë 03.06.2024 dita e hënë, sipas të cilit myftiu prof. dr. Qani Nesimi, mbetet myfti legjitim i Tetovës, po e përsëris, mbetet myfti legjitim i Tetovës. Ne kishim bindjen se ju do ta mendoni seriozisht kërkesën tonë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Prandaj ndodhemi këtu, për të kërkuar kthimin në Kushtetueshmëri të BFI-së dhe kjo bëhet duke i tërhequr vendimet për shkarkim dhe ngarkim.”, - theksoi përfaqësuesi nga Myftinia e Tetovës.
 
Nga BFI–Shkup thonë se vendimi mbetet i pandryshuar dhe sipas tyre, qëndrimi i Qani Nesimit në krye të Myftinisë së Tetovës, pas shkarkimit është vepër penale dhe konsiderohet uzurpim.
 
“Myftiu është shkarkuar me vendim unanim të Rijasetit të BFI-së. Me këto vendime humb legjitimitetin e Myftiut dhe duhet t'i lëshojë zyrat e Myftinisë, njëherit nuk ka të drejtë të përdorë vulat e Myftinisë, e as të paraqitet si Myfti. Përdorimi i vulave dhe paraqitja si Myfti janë vepra penale për të cilat tanimë edhe është dënuar penalisht. Nga Gjykata Administrative të gjitha ankesat e Qani Nesimit janë refuzuar dhe me këtë ai edhe juridikisht nuk është Myfti i Myftinisë së Tetovës dhe çdo ditë që qëndron në zyrat e Myftinisë konsiderohet uzurpim i tyre dhe ligjërisht konsiderohet një qytetar i rëndomtë që ka uzurpuar me dhunë ato.”, - thonë nga BFI-ja.
 
Sipas BFI-së Shkup, shkarkimi i Qani Nesimit është bërë për shkak të aktivitetit të tij destruktiv, për mosraportim dhe moskoordinim me organet më të larta të institucionit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU