Maqedoni
IShP-ja, një punëtor shkyçi siguresat ku ruheshin reagjentët laboratorikë
01.08.2024 17:32
Prokuroria do të hetojë kush i ka ndalur dje energjinë frigoriferëve në Institutin e Shëndetit Publik...

Prokuroria do të hetojë kush i ka ndalur dje energjinë frigoriferëve në Institutin e Shëndetit Publik, ku ruhen reagjentët për testimin e sëmundjeve infektive dhe jo infektive.
Ushtruesja e detyrës drejtoreshë e IShP-së, Marija Andonova, tha se bëhet fjalë për frigoriferë në departamentin e mikrobiologjisë, të cilët ishin ndalur drejtpërdrejt nga siguresat, ndërsa paneli i shpërndarjes ndodhet në një korridor ku kalojnë të gjithë punonjësit, por për fat të mirë kanë ndërhyrë menjëherë.
“Sipas asaj që unë munda të shoh, bëhet faj për sasi të mëdha të reagjentëve, praktikisht të gjithë ata të cilët janë për atë departament. Po, ja një gjë do ua përmend, aty ishin edhe reagjentët për kollën e madhe, ku për momentin kemi epidemi të kollës së madhe dhe imagjinoni ne nuk do të kishim asnjë reagjent sot nëse nuk kishim reaguar siç duhet.”, - deklaroi drejtoresha e Institutit, Marija Andonova.
Prokuroria e ka formuar çështjen sipas informacionit dhe po heton nëse në rastin konkret ka vepra penale.
“Për shkak të seriozitetit të mundshëm të pasojave të dëmshme për shëndetin e njerëzve që mund të shkaktohen nga një akt i tillë, si dhe mundësisë që të bëhet fjalë për vepra penale kundër shtetit, siç janë diversioni apo sabotazhi, prokurorët e ngarkuar nga Prokuroria Themelore e Shkupit dhe Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, së bashku me hetues nga qendrat hetimore të Prokurorisë, janë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme të shqyrtimit.”, thanë nga Prokuroria Themelore e Shkupit.
Prokuroria, siç thanë ata, po mbledh dokumentacion dhe po bën biseda me individë që mund të kenë njohuri për ngjarjen dhe po kryhen të gjitha verifikimet e tjera të nevojshme. Po hetohet nëse dhe sa nga reagjentët janë dëmtuar.
ARDITA RAMADANI
