Botë
Lindja e Mesme, destabilizim i ri në Lindjen e Mesme
01.08.2024 17:55
Lideri i Iranit, Ali Khameni, urdhëroi për hakmarrje ndaj Izraelit...

Lideri i Iranit, Ali Khameni, urdhëroi për hakmarrje ndaj Izraelit për vrasjen e Ismail Hanijehit, liderit politik të Hamasit palestinez. Në Teheran, një funeral masiv u ndoq nga lidershipi fetar i Republikës Islamike. “Vdekje Izraelit!”, thërrisnin protestuesit.
“Gjaku i mysafirit tonë nuk duhet të derdhet në territorin tonë, prandaj duhet të ketë hakmarrje.”, - tha një protestues.
"Izraeli nuk ka arritur asgjë, ai vetëm ka rritur zemërimin dhe rezistencën tonë.", - tha një protestues tjetër.
Edhe nga Karaçi kërkuan hakmarrje duke dënuar gjithashtu sulmet në Liban.
“Vrasja e djeshme e Ismail Hanijehit, kreut të zyrës politike të Hamasit në Teheran, është një akt i përshkallëzimit të rrezikshëm dhe minon përpjekjet për paqe në rajon. Vrasësit duhet të ndëshkohen!”, - theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Mumtaz Zara Balok.
Izraeli në prill shpalli ligjin ushtarak dhe është i përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm të luftës. Netanjahu tashmë është përgjigjur, “jemi gati për të gjithë skenarët për mbrojtjen e shtetit”.
“Kushdo që therr fëmijët tanë, që vret fëmijët tanë, kushdo që granaton vendin tonë, gjaku i tyre është vendimi i tyre. Qytetarë të Izraelit, ditët e sfidave po na vijnë. Ne jemi të gatshëm për çdo skenar, të bashkuar kundër çdo agresioni.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Në Long Island është thirrur një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit. Lindja e Mesme po shkon drejt dhunës totale, ka paralajmëruar sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken. Ai bëri thirrje për qetësim të situatës.
“Është e qartë se armëpushimi është në interesin e të gjithëve, si në interes të izraelitëve, ashtu edhe të palestinezëve, por edhe në interes të rajonit. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje për të qetësuar sa më shpejtë situatën.”, - deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken.
Ismail Hanijehi, tanimë i likuiduari i Izraelit, ishte njeriu kryesor i Hamasit në negociatat me Izraelin për lirimin e pengjeve izraelite të rrëmbyer tetorin e kaluar.
FITORE DEMOLLI
