Incidenti me Presidenten e Kosovës, Osmani, autoritet me qëndrime të ndara

02.08.2024 15:55

Institucionet me qëndrime dhe versione të kundërta....

Institucionet me qëndrime dhe versione të kundërta rreth incidentit të mbrëmshëm në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.  Siç njoftojnë nga MPB teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin që iu kërkua të lërë telefonin për të kaluar përmes skanerit, një nga rojet e saj të sigurisë e tërhoqi sigurimin e TAV-it, në mënyrë që Osmani të kalonte pa një telefon të skanuar dhe bagazh dore.

“Мegjithatë, bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skenerit. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi me dy persona të tjerë dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-it dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare.”, thuhet në njoftimin e MPB-së

Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se reagimi i sigurimit të tij ka qenë me qëllim që të qetësohet situata dhe të mos të shkaktohet incident diplomatik.

“Unë vetëm intervenova në pjesën që të qetësohet situata, të mos shkaktohet incident diplomatik dhe mendoj se gjithçka përfundoi ashtu siç duhet. Nëse ka pasur shkelje apo dikush ka shkelur autorizimet e tij sigurisht se gjithkush i cili e ka bërë atë duhet të jep përgjegjësi.” – tha Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Nga zyra e presidentes së Kosovës, thonë se sjellja e zyrtarit të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas së cilës krerët e shteteve mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike kur udhëtojnë.

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi në aeroportin e Shkupit tentoi t'i merrte telefonin personal të presidentes. Ajo nuk e ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave që ekipi i presidentes i ka komunikuar zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar ta shtyjë fizikisht presidenten, duke detyruar policinë e Kosovës të reagojë” – thanë nga Zyra e Presidentes së Kosovës.

Nga kompania TAV mohojnë se dikush ka tentuar t’ia merrte telefonin Osmanit, duke shtuar se veprimet që kanë ndërmarrë janë në përputhje me ligjet në fuqi.

“Sipas Dokumentit 30 të ECAC dhe Programit Kombëtar për sigurinë e aviacionit civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë me ta në një fluturim komercial, si në këtë për shembull, i nënshtrohen një rishikimi sigurie.” – thuhet në njoftimin e Kompanisë TAV.

BDI ka dënuar incidentin, duke thënë se për këtë duhet të japin përgjegjësi politike edhe përfaqsuesit shqiptarë në qeveri.

“Mohimi i incidentit nga zëvendës ministri i punëve të brendshme, Astrit Iseni, involvimi i paligjshëm dhe anarkik i sigurimit personal të Gashit që nxiti incident edhe më të madh, nuk guxojnë të kalojnë pa përgjegjësi politike bashkë me përgjegjësinë ligjore të të gjithë të involvuarve në këtë skandal diplomatik.”, thuhet në reagimin e BDI-së

Ndaj kësaj kanë reaguar nga VLEN duke thënë se BDI po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t’i sjellë Kosovës.

“MPB dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit, por kjo është në kompetencë të koncesionarit, në këtë rast TAV-it. Sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit. Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë?”, thuhet në reragimin e VLEN. 

Ndërkohë zbardhje të rastit ka kërkuar kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. (Ersan Pajaziti, TVM2)