Situata me zjarret në vend, aktivitetet për shuarjen e zjarreve vazhdojnë

02.08.2024 16:40

Aktivitetet për shuarjen e zjarreve....

Aktivitetet për shuarjen e zjarreve në vend po vazhdojnë me intensitet të lartë. Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka bërë të ditur se deri në mesditë, ishin aktive gjithsej gjashtë zjarre në zonat e hapura dhe në pyje.

“E shfrytëzoj këtë rast për t'i bërë thirrje qytetarëve të cilët planifikojnë që këtë fundjavë të gjatë ta kalojnë në shtëpizat e tyre në ndonjërën nga vendbanimet e bukura që kemi në vend ose në fshatrat malore, të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Nëse dinë që në afërsinë e tyre ka zjarr, në lokacionet ku ndodhen shtëpizat e tyre, të mos shkojnë aty, ose të shkojnë vetëm për të vendosur masa kundër zjarreve rreth shtëpizave të tyre. Gjendja është serioze, edhe pse kemi vendosur kontroll të pjesërishëm mbi zjarret, disa prej tyre mund të jenë akoma të rrezikshme dhe të kërcënojnë disa fshatra të vjetra apo vendbanime të shtëpizave të pushimit.” – tha Drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.

Pesë avionë zjarrfikës si dhe zjarrfikës lokalë me mbështetjen e popullatës po shuajnë zjarret në terrenin e vështirë, të paaksesueshëm në malin Ilinska në Komunën e Demir Hisarit.

Ndërkohë në Makedonski Brod, pranë fshatrave Tazhevë dhe Breznicë, zjarri është përhapur drejt rezervatit Jasen.

Një ekip nga Hungaria, i përbërë nga 46 persona dhe pajisje speciale, së bashku me 50 pjesëtarë të ushtrisë dhe 20 zjarrfikës lokalë, po ndihmojnë në shuarjen e tij.

Në Komunën e Probishtipit, janë aktive dy vatra zjarri. Në Komunën e Plasnicës, pranë fshatit Latovë, zjarrfikësit vendas dhe një ekip i Pyjeve Kombëtare po shuajnë zjarret që djegin barin dhe shkurret.

Në Pehçevë, pranë fshatit Negrevë, tanimë po veprohet që të izolohet vatra e zjarrit e cila nga dita e djeshme është nën kontroll të plotë. (Leunora Kaliqi, TVM2)