Maqedoni
Politizimi i gjykatave, Gosheva: Nuk punojmë nën presion politik
20.04.2015 15:04
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva, mohoi të ketë ndikime apo presione politike në punën e gjykatës...

Në prezantimin e raportit vjetor për punën e Gjykatës Kushtetuese gjatë viti 2014, Gosheva nuk deshi të komentojë as në pyetjen se nëse gjykata ka qenë e ndikuar politikisht në vendimin për iniciativën e kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovskit, për planin urbanistik në këtë komunë.
Ajo tha se nuk ka njohuri dhe nuk do të komentojë as përgjimet e fundit të publikuara nga opozita, ku pretendohet se kryeministri Gruevski ka thënë se iniciativa e kryetarit Zhernovski për planin urbanistik do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese para se atë vendim ta marrë vetë gjykata.
Gosheva, tha se gjykatësit janë të pavarur dhe se iniciativat e dorëzuara pranë saj i shqyrtojnë në bazë të bindjes së tyre, të mbështetur në kushtetutë dhe ligje, duke mohuar çdo marrëveshje paraprake të gjykatësve për votim.
“Nuk kam koment për atë se si dikush ka dhënë këto deklarata para se ajo çështje të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Sa i përket iniciativës së kryetarit Zhernovski, Gjykata Kushtetuese vendimet i miraton me votim, kështu që vendimin nuk e sjell as ndonjë gjykatës vetë e as kryetari i saj”- deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva.
Edhe gjykatësja Natasha, e njohur për qëndrimet e saj të kundërta të votimit, tha se nuk janë të nënshtruar ndaj ndikimeve politike.
“Viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese në përgjithësi, por edhe unë si pjesë e saj, nuk i jemi nënshtruar presioneve politike”- tha gjykatësja në Gjykatën Kushtetuese, Natasha Gaber Damjanovska.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva, madje nuk u ndje kompetente dhe refuzoi të përgjigjet rreth çështjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të etniteteve tjera dhe shqiptarëve në institucionin që ajo drejton.
“Shërbimi profesional ka të dhëna të tilla, unë nuk kam për momentin, ky është pres vjetor për punën e gjykatës. Pyetjet le të jenë në kuadër të punës së Gjykatës Kushtetuese, sepse informata të tilla nuk mund t’u jap tani, nuk posedoj”- theksoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva.
Ndërkaq, sa i përket iniciativës për testimin ekstern, dhënies prioritet për shkak të protestave të shumta të nxënësve, Gosheva tha se ajo do të jetë në rend dite atëherë kur gjykatësi dhe këshilluesi gjyqësor do ta vlerësojnë të nevojshme.
FLORIJE KAMBERI
