Maqedoni

OJQ-të “Drejtësi sociale, tani”: të drejtat e punëtorëve nuk respektohen

20.04.2015 15:33

Të drejtat e punëtorëve në Maqedoni vazhdojnë të mos respektohen...

Një pjesë e madhe e punëtorëve nuk kanë kushte adekuate në vendin e punës, konstatuan disa organizata joqeveritare të bashkuara me moton “Drejtësi sociale, tani”, të cilat disa javë më parë nisën iniciativën për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për këtë dukuri negative në shoqëri.
 
Sipas tyre, të drejtat e punëtorëve shkelen vazhdimisht edhe në sektorin  privat edhe në atë shtetëror, ndërsa organizatat sindikale nuk marrin masa mbrojtëse për punëtorët.
 
“Është më se e qartë se institucionet të cilat janë më së tepërmi të thirrura për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve kanë  mungesa serioze dhe vuajnë nga mungesa e demokracisë. Të gjitha institucionet që duhet të merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe problemeve sociale, nuk e kryejnë funksionin e tyre. Në terren ne po përballemi me qytetarë të cilët kanë frikë të prononcohen mbi këtë çështje”- deklaroi  Xhabir Deralla  nga “Civil”.
 
“Jemi dëshmitarë se në Maqedoni nuk kemi kushte për formimin e personave që do të mbrojnë të drejtat e punëtorëve, ato janë organizatat sindikale. Vetë konventat ndërkombëtare, që obligojnë të ketë drejtësi për unifikim të organizatave dhe drejtësi për marrëveshje sindikaliste, nuk respektohen”- tha Millan Zhivkoviq nga “Fridrich Ebert”.
 
Iniciativa “Drejtësi sociale, tani” do të udhëtojë edhe në Veles  dhe Kavadar më 21 dhe 22 prill, ku do bëhen përpjekje të stimulohen qytetarët për të denoncuar rastet e shkeljes së të drejtave të punëtorëve. 
 
REXHEP QAMILI