QMK, në vend aktualisht 6 zjarre aktive

03.08.2024 16:35

Gjatë ditës në vend ka pasur 17 zjarre...

Gjatë ditës në vend ka pasur 17 zjarre në ambiente të hapura si dhe në pyje. Gjashtë prej tyre janë shuar plotësisht, ndërsa pesë janë vënë nën kontrollë të plotë.

“Për momentin kemi 6 zjarre aktive, më i komplikuari për shuarje ndodhet në teritorin e komunës së Makedoski Brodit, në rajonin e fshatrave Tazhevë dhe Breznicë, i cili është aktiv prej disa ditësh. Shiu i sotëm në sasi të vogla nuk e ka shuar këtë zjarr. Në këtë pjesë vepron ekipi prej 40 personash nga Hungaria, me automjete speciale në teren, si dhe 50 pjesëtarë të armatës të mbështetur nga ajri.” – tha Sojanço Angellov nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Zjari i dytë aktiv është në komunën e Probishtipit, përkatësisht në malet e Osogovës, ku është vënë kontroll e pjesshme. Në atë pjesë është intervenuar me helikopter. Zjarr aktiv ka edhe në pjesën malore të komunës së Demir Hisarit, i cili është aktiv prej disa ditësh. Zjarr aktiv ka edhe në komunën e Pllasnicës.

Është riaktivizuar edhe zjarri në Kosell të Ohrit, i cili po lëviz drejt Resnjes, por siç thonë nga qendra për menaxhim me kriza, nuk paraqet rrezik për vendbanimet.

Dhe zjarri i fundit aktiv është në komunën e Dollnenit përkatësisht në fshatin Llazhan.

Nga kjo qendër poashtu informojnë se janë shuar edhe dy zjarre në rajonin e Shkupit, përkatësisht në komunën e Zelenikovës dhe Studeniçanit.

“Momentalisht po kontrollojmë që të mos aktivizohen përsëri zjarret, por falë edhe motit aktualisht në Zelenikovë nuk ka asnjë zjarr aktiv, janë shuar të gjithë. Gjatë ditës së djeshme kishte tre zjarre dhe së bashku me njësitin zjarrëfikës nga Draçeva  arritëm ta vendosim nën kontrollë.” – deklaroi Borçe Ognjanovski nga Shoqata vullnetare zjarrëfikëse.

Për tu njoftuar me gjendjen e zjarreve në vend edhe Ambasadori Evropian, Dejvid Gir, mori pjesë në konferencën e rregullt të mëngjesit të ekipeve të aviacionit kombëtar dhe të huaj dhe direkt në pistën e pjesës ushtarake të aeroportit u njoh me aktivitetet e shuarjes së zjarrit. (Ardita Imeri, TVM2)