Incidenti me Presidenten Osmani në aeroport, Kosova i dërgon notë proteste RMV-së
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla...

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit ndaj presidentes, Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme kosovare, presidentja Osmani është përballur me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, njoftoi MPJ e Kosovës.
Incidenti me Presidenten Osmani në aeroport, MPJ e RMV-së: Na vjen keq për keqkuptimet
Nga kabineti i Ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut njoftojnë se i kanë kërkuar të gjitha informacionet e nevojshme nga organet hetimore për zbardhjen e plotë të incidentit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
“Shprehim keqardhje për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup. Pasi të jetë bërë një analizë e duhur e të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Partitë politike përplasje rreth incidentit me Presidenten Osmani
Ndërkohë partitë politike vazhdojnë akuzat për këtë rast. LSDM paralajmëron se ka informacione të plota se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe nëse MPB-ja tenton të ndryshojë faktet, gjithçka do të bëjn publike.
“MPB-ja duhet të informojë se cili ishte roli i personave nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi dhe në përputhje me ligjet të iniciojë procedurë ndaj atyre që kanë shkelur autorizimet. Nëse nuk e bën këtë, do të jetë një konfirmim i qartë se faktet po fshihen për të mbrojtur marrëdhëniet ndërkoalicioneshm”, thuhet në reagimin me shrim të LSDM-së.
Nga BDI vlerësojnë se Kabineti i Presidentit të Kosovës zbuloi të gjitha gënjeshtrat e zyrtarëve të VLENI-t të cilët u përpoqën të heshtin dhe të minimizojnë incidentin skandaloz në aeroportin e Shkupit.
“Ky skandal, medoemos duhet zbardhur gjer në fund dhe përgjegjësi politike duhet të bartin menjëherë uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi”, reaguan nga BDI.
Me kundërpërgjigje nga VLEN. BDI-ja me vetëdije dhe me qëllim përpiqet të manipulojë me opinionin publik. Sipas tyre Autoritetet kosovare qartë dhe pa mëdyshje shprehën dyshimin se incidenti është provokuar qëllimisht me synimin për të përkeqësuar marrëdhëniet bilaterale me Kosovën.
“Nuk është rastësi që dje përmendëm se nuk do të habitemi nëse njerëz të afërt me personin A.G., i njohur për korrupsion të madh politik dhe bizneset e kazinove, janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në incidentin e aeroportit. Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh?”,thuhet në reagimin e VLEN-it .
Ndërkohë nga Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut bëjnë thirrje që incidenti në aeroport të mos përdoret për qëllime të brendshme politike në Maqedoninë e Veriut. (Sanije Duraku, TVM2)
