Lindja e Mesme, tensionet mbeten të larta

03.08.2024 17:56

Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta...

Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta. Ushtria izraelite ka kryer sulme të reja ajrore ndaj automjeteve të militantëve në Bregun Perëndimorë dhe në qytetin libanez, Tir.

Siç ka njoftuar “Hamasi” janë vrarë pesë persona, përfshirë këtu edhe komandantin rajonal të këtij grupi. Ndërkohë pas paralajmërimeve hakmarrëse nga “Hamasi”, Hezbollahu dhe Irani,  Pentagoni ka njoftuar për dërgimin e forcave të reja ushtarake në Lindjen e Mesme, me qëllim të mbrojtjes së Izraelit dhe trupave amerikane në rajon.  

“Të gjitha kapacitetet që i kemi në rajon janë për qëllime mbrojtëse me rekomandim për ti kthyer sulmet. SHBA-të do ta mbështesin Izraelin në vetëmbrojtje. Nuk dëshirojmë të shohim konflikt më të gjërë rajonal. Do të vazhdojmë të kërkojmë deeskalim por forma më e mirë është arritja e marrëveshjes për ndërprerjen e zjarrit.” – tha Sabrina Sing, Zëdhënëse e Pentagonit.

Autoritetet iraniane kanë arrestuar dhjetra persona nën dyshimin për përfshirje në atentatin ndaj liderit të Hamasit, Ismail Haniye në Teheran, në mesin e të cilëve dhe zyrtarë të lartë të shërbimeve të zbulimit dhe zyrtarë ushtarak.

Ata dyshohet se kanë qenë të angazhuar për kryerjen e atentatit nga ana e shërbimit izraelit Mosad, që paraqet cënim të sigurisë iraniane.

Autoritetet izraelite nga ana tjetër kanë urdhëruar përgaditjen e strehimoreve në rast të sulmeve nga militantët e Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit. Ushtria izraelite thotë se është e përgatitur të ju kundërvihet sulmeve.

“Kjo është porosia jonë deri te e gjithë Lindja e Mesme, ata që i sulmojnë qytetarët e Izraelit, ata që e sulmojnë shtetin e Izraelit, jemi të gatshëm të shkojmë larg, të grumbullojmë informacione zbuluese dhe të kryejmë sulme duke rrezikuar. Kemi goditur në Bejrut dhe po sulmojmë në Gaza, duam të jemi të fuqishëm në mbrotje dhe më pas do të godasim fuqishëm.” – tha Komandanti i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi.

Përderisa në Gazë vazhdojnë sulmet izraelite me synimin për ta shkatërruar Hamasin, qytetarët vazhdojnë të përballen me vështërsi për të siguruar ushqim dhe ujë të pijshëm.

“Përpiqemi që të sigurojmë ujë. Rrijmë në rradhë tre deri në katër orë, për të mbushur dy bidonë.” – tha një qytetar i Gazës.

Kombet e Bashkuara alarmojnë për përhapjen e virusit Polio tek qytetarët e Gazës.

“Nevojiten vaksina, por luftimet e vazhdueshme e pengojnë ndjeshëm futjen e e ndihmave në Gaza.” – deklaroi  Farhan Hak nga OKB.

Ndërkohë një delegacion izraelit ka udhëtuar për në Kajro për ti vazhduar bisedimet për ndërprerjen e luftimeve në Gaza dhe lirimin e pengjeve. (Ardita Imeri, TVM2)