Maqedoni
Gostivar, vazhdojnë investimet në infrastrukturë
20.04.2015 15:39
Vazhdojnë investimet në infrastrukturë në Komunën e Gostivarit. Sot u promovua investimi i radhës nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta...

Bëhet fjalë për rregullimin e një pjese të rrugës “Jastre Zdravkovski” në lagjen Sahati në Gostivar, si dhe murit rrethues të kopshtit të fëmijëve në këtë rrugë.
Kreu i Komunës, Nevzat Bejta, theksoi se asfaltimi i rrugës bëhet me kërkesë të qytetarëve lokal dhe se me ndërtimin e murit rrethues të kopshtit do të rritet siguria e fëmijëve që e frekuentojnë këtë çerdhe.
“Kjo rrugë në këtë pjesë ka qenë shumë e ngushtë dhe banorët e lagjes kërkuan që e njëjta të zgjerohet. Sipërfaqja që e kemi asfaltuar është 560 metra katror, ku përveç asfaltimit të rrugës së zgjeruar është asfaltuar edhe një sipërfaqe e cila shfrytëzohet si parking për disa vetura. Gjithashtu kemi ndërtuar edhe mur rrethues për çerdhen “Lulet”, me gjatësi prej 85 metra”- tha mes tjerash kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Të kënaqur nga ky investim janë treguar edhe banorët e kësaj lagje, pasi këtu është investuar shumë pak në këto 40 vjet sa ekziston kjo lagje. Ata shpresojnë se nuk do të ballafaqohen më me problemet e deritashme.
Vlera e përgjithshme e investimit është mbi 1 milion e 500 mijë denarë, respektivisht rreth 25 mijë euro, mjete të siguruara nga buxheti i Komunës së Gostivarit.
LULZIM HAZIRI
