Maqedoni

Kërcënimet mbi sigurinë e vendit, ekspertët: çelësi i stabilitetit mbetet MO

20.04.2015 16:45

Maqedonia nuk përballet me kanosje për sigurinë e saj nga faktori i jashtëm, por gjatë viteve në vazhdim mund të përballet...

Maqedonia nuk përballet me kanosje për sigurinë e saj nga faktori i jashtëm, por gjatë viteve në vazhdim mund të përballet me një sërë problemesh të brendshme që gjithnjë e më shumë po thellojnë ndarjen në shoqëri në më shumë pikëpamje. 
 
Sipas profesorit, Marijan Gjurovski, çelësi për stabilitetin e vendit ndodhet në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, i cili motivon dy komunitetet më të mëdha në vend, maqedonasit dhe shqiptarët, në rrugën drejt integrimit në strukturat euroatlanitike.
 
“Kanosje e rëndësishme për sigurinë e Maqedonisë është ndarja e brendshme theksuar midis qytetarëve. Çelësi për stabilitetin e vendit ndodhet në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshje e cila paraqet indin koheziv, i cili mban maqedonasit dhe shqiptarët të bashkuar dhe të motivuar nga dëshira për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike”- deklaroi profesori, Marijan Gjurovski.
 
“Gjatë viteve në vazhdim, kërcënimet për sigurinë e Maqedonisë nuk do të vijnë nga organizimet e armatosura klasike, por nga grupet e organizuara kriminele dhe fërkimet e tyre me ekstremizmin politik dhe etnik”- tha profesori, Oliver Baçanoviq.
 
Baçanoviq nënvizoi se Evropa përballet me sfida të ndryshme të nxitura nga shkatërrimi i botës bipolare dhe pasojat nga shkatërrimi  i ish shteteve socialiste.
 
Këto komente u shpalosën gjatë një debati shkencor në organizim të Fakultetit të Sigurisë, ku u prezantuan rezultatet nga projekti hulumtues "Siguria dhe kërcënimet  për sigurinë e Republikës së Maqedonisë”, që e realizoi një ekip i fakultetit. 
 
NAIM RAMADANI