QMK, në vend janë pesë zjarre aktive

04.08.2024 15:13

Zjarret janë një problem i theksuar...

Zjarret janë një problem i theksuar me të cilët ditëve të fundit po përballet vendi. Siç bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me kriza këtë të diel janë 5 zjarre aktive, ndërsa katër janë vënë nën kontrollë.

Prej një jave po digjet mali i Osogovës në Probishtip, në një rajon ku qasja është e vështirë, prandaj për shuarjen e tij janë angazhuar helikopter nga armata.

Natën e kaluar janë shuar 40 zjare, 16 prej të cilëve në rajonin e Probishtipit.

“Që nga mëngjesi po punohet që të neutralizohet edhe ky zjarr në rajon të pa qasshëm. Besoj se sot do të neutralizohet edhe ajo pjesë. Shpresoj se dhe shiu do të vijë në komunën e Probishtipit dhe ta shuaj këtë zjarr që është aktiv prej 8 ditësh.” – tha  Kryetari i Komunës së Probishtipit, Dragan Anastasov.

Prej tre ditësh është aktiv edhe zjarri në rajonin e Ohrit, përkatësisht në Kosel dhe Openicë, për shuarjen e të cilit janë angazhuar edhe helikopter dhe ekipe të pyjeve të Maqedonisë.

Nga njësiti i zjarrfikësve në Ohër thonë se nuk ka rrezik për përhapjen e zjarreve në vendbanime.

“Prej tre ditësh po luftojmë kundër zjarreve që e kanë kapluar komunën tonë. Ekipet tona të njësitit territorial të komunës së Ohrit janë vazhdimisht në teren. Që në orët e hershme të mëngjesit janë aktivizuar edhe dy helikopter të cilët hedhin ujë nga ajri, në pjesë ku qasja është e vështirë. Nuk ka rrezik për fshatrat.” – tha Komandanti  i njësitit zjarrfikës Ohër, Borko Jankullovski.

Disa organizata humanitare kanë nisur aksionin humanitarë për ti ndihmuar banorët e fshatrave të përfshirë nga zjarri. Po grumbullohet ushqim, veshëmbathje, mjete higjienike, ndërsa do të ndihmohen 400 familje në rajonin e Ovçepolës, të prekura nga zjarri.

“Fillojmë të mbledhim sasi më të mëdha të donacioneve në veshëmbathje dhe ushqim, ilaçe tanimë kemi mbledhur, shpresojnë se për 4 apo 5 ditë do të ju ftojmë ti xhironi donacionet.” – deklaroi  Vlladimir Çollakovski, Kryetar i aksioneve humanitare.

“Po flas parcialisht për pjesën lindore ku përfshihen Shën Nikolla, Probishtipi, Kratova, Kumanova, Nagoriçi i vjetër. Pra për atë rajon ku bëhet fjalë për 30 fshatra me rreth 400 familje.” – u shoreh  Goce Delçev Todev nga Konfederata e organizatave sindikale.

Edhe kryqi i kuq ka hapur linjë telefonike ku qytetarët mund të bëjnë donacion për të ndihmuar të dëmtuarit nga zjarret. (Ardita Imeri, TVM2)