Britani, dhjetëra të arrestuar në protesta të dhunshme
Policia në Britani dhe Irlandën e Veriut...

Policia në Britani dhe Irlandën e Veriut arrestoi dhjetëra persona për shkak të dhunës në protesta, ndërkohë që qeveria paralajmëroi për masa të ashpra kundër atyre që tha se po shfrytëzonin vrasjen e tre vajzave të vogla para disa ditësh, për të nxitur trazira.
Protestat e dhunshme ku marrin pjesë qindra grupe kundër imigracionit, kanë shpërthyer në qytete në gjithë Britaninë pas vrasjes së vajzave në një sulm me thikë në një klasë vallëzimi për fëmijë në Southport, në pjesën perëndimore të vendit javën e kaluar.
Grupet anti-imigracion dhe anti-myslimane morën shkas nga këto vrasje për të protestuar pasi u përhapën informacione të rreme se i dyshuari ishte një emigrant radikal islamik. Policia ka thënë se i dyshuari ka lindur në Britani. Sipas njoftimeve të mediave, familja e tij është krishtere.
Policia tha se të shtunën ka arrestuar të paktën 87 persona në trazirat në disa qytete. Dyqanet dhe bizneset u vandalizuan dhe plaçkitën, një bibliotekë në Liverpul u dogj dhe disa policë u plagosën, thuhet në deklaratat e policisë. Protestat po vazhdojnë edhe të dielën.
