Mickoski për iniciativat e BDI-së, kërcënojnë imazhin ndëretnik në vend

04.08.2024 16:00

Kërkesa e BDI-së, që koncepti “ fituesi me fituesin“...

Kërkesa e BDI-së, që koncepti “ fituesi me fituesin“ të bëhet pjesë e sistemit juridik dhe të shqyrtohet një koncept i riorganizmit territorial sipas modelit belg, paraqet kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në vendin, vlerëson Kryeministri, Hristian Mickoski. 

Në një intervistë për “Fokus”, Mickoski thotë se sjellja e papërgjegjshme e BDI-së kërcënon imazhin ndëretnik në vend dhe se duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme si qeveri për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë si shtet.

“As Ballkani dhe as Evropa nuk kanë nevojë për një konflikt tjetër. Ne e shohim situatën me Kosovën në zhvillim, Bosnje-Hercegovinën, për të mos përmendur luftën në Ukrainë. Thelbi është mbrojtja e kapitalit të fituar në këto 22 vite në skenën politike dhe 20 vite në pushtet. Por nuk e përjashtojë mundësinë që grupe dhe struktura të caktuara të manipulohen, pa dashje. Dhe tani ato grupe dhe struktura mund të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin, të krijojnë një krizë. Ne si Qeveri kemi për detyrë ta mbrojmë atë dhe të mbrohemi” - ka thënë Mickoski.

Mickoski: Ka indikacione për keqpërdorime nga Ish Qeveria

Kryemisnitri njëherit thekson se ka indicie dhe dëshmi për krim epik dhe keqpërdorim të shumave të mëdha të parave, në disa institucione nga qeveria e kaluar LSDM/ BDI, të cilat autoritetet duhet të hetojnë seriozisht sepse ka mungesë të parave dhe nuk ka projekte dhe zbatime në terren.

“Nëse keni mungesë prej 5 miliardë denarë që janë më shumë se 80 milionë euro për të paguar pensionet e rregullta, e kam fjalën për pensione të rregullta, pa ato harmonizime 2 herë në vit sipas ligjit, pa rritjet. Dhe, kur do të shihni në disa institucione të tjera, ku financohen projekte të caktuara, të cilat ishin të një domethënie dhe rëndësie thelbësore para së gjithash për BDI-në, por edhe për LSDM-në, atëherë arrini në përfundimin se dikush këtu me vetëdije e ka keqpërdorur buxhetin për financimin e projekteve, përmes së cilës ka dyshime të arsyeshme se paratë janë keqpërdorur. Në terren nuk shohim realizimin dhe përparimin e atyre projekteve. Para së gjithash po mendoj për projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D”, deklaroi kryeministri Mickoski.                                                

Sipas tij në “Pyjet Nacionale” mungojnë edhe gjysmë miliardë denarë, gjegjësisht mbi 8 milionë euro, mjete të siguruara për borxhe, por nëse shihni se faturat janë dy herë, tre herë më të mëdha se zakonisht, atëherë ju ia bëni vetes pyetjen që dikush atje u përpoq të abuzojë.

Poashtu në REK Manastir, kryeministri Mickoski theksoi se diferenca nga vetëm një marrëveshje është 40 milionë euro.

Mickoski: Gjyqësori të pastrohet nga të korruptuarit

Por megjithëse ka shumë indikacione për krim të kryer, ka zero veprim, prandaj gjyqësori dhe prokuroria duhet të pastrohen nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

“Ka gjyqtarë dhe prokurorë të tillë që kanë lidhje familjare, por jo të gjithë, por janë një pakicë. Ka nga ata që janë të korruptuar, por jo të gjithë, por janë pakicë. Ka nga ata që i kanë mbajtur sendet në sirtar dhe nuk i kanë përpunuar, edhe ata janë pakicë. Shumica nuk mund t'i nënshtrohet pakicës. Pakica do të katalizojë veten, do të filtrohet dhe do të jetë pa zë. Për fat të keq, pakica tani është në pozita kyçe dhe për këtë na duhet kjo mazhorancë për ta mposhtur pakicën, duke zgjedhur vetë atë që mendon se ka nevojë. Ja ne nuk do të ndërhyjmë, do të rrimë mënjanë dhe do t'i lëmë ta bëjnë vetë atë katarsis, të filtrohen dhe të keqen ta hedhin poshtë nga sistemi. E mira të mposhtë të keqen”, tha kryeministri Mickoski.

Sipas tij edhe përmes komisionit për mbikëqyrje të funksionimit të këtyre institucioneve mund të bëhet mbikëqyrje në Kuvend. (Sanije Duraku, TVM2)