Maqedoni

Labënishti dorëzon në kuvend dorëheqjen, Merko hedh poshtë akuzat

20.04.2015 17:22

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Llabënishti, dorëzoi në parlament dorëheqjen e paralajmëruar pak ditë më parë...

Pa shtuar asnjë arsye më shumë, Labënishti thotë se arsyeja për dorëheqjen e tij është pakënaqësia nga qeverisja e BDI-së, situata aktuale politike, qëndrimi i BDI-së për zbardhjen që bëjnë përgjimet dhe përgjegjësinë e saj, pasi ajo që ka ndodhur është në dëm të drejtpërdrejtë të interesave të shqiptarëve.
 
Për të gjitha këto, Labënishta thotë se ka folur në mbledhjen e fundit të kryesisë së BDI-së, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe në Kongresin Tematik të BDI-së. 
 
“Dorëzova aktin e dorëheqjes nga zëvendësministër i Mbrojtjes. Arsyetimet për këtë vendimin tim i kam bërë të gjitha publike. Nuk kam ndonjë gjë për të shtuar për momentin”- deklaroi  zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Labënishti.
 
Dorëheqja e Labunishtës sipas deputetit të BDI-së, Ramiz Merko, është vendim individual, ndërsa vërejtjet lëshuar ndaj qeverisjes së BDI-së janë insinuata. 
 
“Unë në një farë mënyre nuk desha të komentoj asnjë akuzë që ka bërë z. Labënishta, pasi ne nuk merremi me gjëra të tilla. Të gjitha ato janë insinuata dhe të njëjtat ne i hedhim poshtë”- tha deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.
 
Dorëheqja e Labënishtit vjen menjëherë pas Kuvendit të BDI-së në Strugë, ku me 64 vota pro dhe katër kundër, Ramiz Merko u zgjodh kryetar i BDI-së, dega në Strugë. 
 
SHPËTIM NUREDINI