Maqedoni
Bashkëpunimi Maqedoni-Shqipëri, Jashari-Naço: liderë rajonal në drejtësi
20.04.2015 17:27
Shqipëria dhe Maqedonia do të punojnë fort në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve në fushën e drejtësisë, nënshkruar mes dy vendeve pak vite më parë...

Ka qenë ky konkluzioni i bisedës mes ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë dhe atij të Shqipërisë, zhvilluar në Tiranë.
Kreu i dikasterit të Drejtësisë në Maqedoni, Adnand Jashari, e vuri theksin jo vetëm në zbatimin e marrëveshjeve, por edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve në këtë fushë.
"Jam i sigurt që të dyja qeveritë kanë vullnetin e duhur për të zgjidhur së bashku problematikat e përbashkëta. Forcimin e sistemeve juridike, rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë, veçanërisht tek gjyqësori, çka do të mundësojë rritjen e standardeve më të larta bashkohore për të dyja vendet"- tha Jashari, i cili theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia kanë edhe një sfidë të përbashkët të luftës ndaj krimit të organizuar.
I pyetur lidhur me ekstradimet, ministri Jashari bëri të ditur se qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase kanë nënshkruar tre marrëveshje bashkëpunimi, njëra prej të cilave ka të bëjë me ekstradimet.
"Më lejoni t'ju them se me Shqipërinë marrëveshjet janë realizuar me përpikshmëri. Janë tre të tilla dhe njëra ka të bëjë me ekstradimet, të cilat janë realizuar pa asnjë lloj problemi, madje mund të them se vitin e shkuar janë ekstraduar 6 të ndaluar nga Shqipëria në Maqedoni dhe një numër i ngjashëm nga Maqedonia në Shqipëri"- theksoi ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Adnan Jashari.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe ministri i Drejtësisë së Shqipërisë. Ai shkoi më tej, duke u shprehur se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha kapacitetet për të qenë lider në fushën e drejtësisë.
“Jemi të bindur se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë për t’u kthyer në lider në rajon në fushën e drejtësisë. Jemi të bindur se duke bashkëpunuar dhe duke qenë pranë njëri-tjetrit mund të ngremë sistemin e drejtësisë në vendet tona në një nivel tjetër, duke iu afruar standardeve evropiane"- theksoi ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Nasip Naço, i cili shtoi se biseda me homologun e tij vijoi aty ku ishte lënë në Maqedoni, disa muaj më parë.
Të dy ministrat pak ditë më parë ishin pjesë e ministerialit të Budvës, ku u fol për forcimin e luftës ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar në rajon.
LULJETA NDOKA
