Mickoski pret Kurtin në Shkup, thellimi i bashkëpunimit, prioritet i dy Qeverive
Diku para orës 10 e gjysëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut...

Diku para orës 10 e gjysëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut erdhi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku u prit nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili pati privilegjin që për herë të parë prej se është kryeministër të pret një kre shtetëror të një vendi tjetër.
Jemi të angazhuar për të thelluar bashkëpuinimin ndërmjet dy vendeve. Kjo ishte konkluza e dy kryeministrave, atij të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe të Kosovës Albin Kurti në lidhje me takimin e tyre në Shkup. Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, thellimi i bashkëpunimit ndërkufitar, ishin çështje që janë diskutuar këtu në takim duke thënë se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është rreth gjysëm miliard euro, ndërsa synim i dy qeverive është që ky shkëmbim të rritet edhe më tej.
“Ky gjysëm miliard euro është në ngritje e sipër, për shkak se kemi edhe trend pozitiv. Maqedonia e Veriut tash e disa vite është vendi ku eksportojmë shumë mallra të Kosovës me vlerë të lartë, edhe një e dhënë tjetër e cila është në rritje e sipër. Ne synojmë normalizimin e bashkëpunimit të kuadër të procesit të Berlinit, platformë kjo e vetmja gjithëpërfshirëse rajonale me përfitues përfundimtarë qytetarët e rajonit” – tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk shoh arsye se përse me angazhimet e të dy qeverive, ai shkëmbim tregtarë të mos jetë edhe më i madh. Me ndërtimin e projekteve infrastrukturore, autostradës që do ta lidh vendkalimin kufitar me kryeqytetin tonë, rrugën potenciale që do t’i lidhë Tetovën dhe Prizrenin dhe kështu me rradhë, prioritete të cilat janë shumë të rëndësishme” – u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Gjithashtu kryeministri Kurti u falenderua për ndihmën diplomatike të dhënë nga Maqedonia e Veriut në kuadër të Këshillit të Europës dhe NATO-së, kurse kryeministri Mickoski theksoi se si qeveri janë të interesuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë këtu edhe Kosovën. (Ersan Pajaziti, TVM2)
