Incidenti me presidenten Osmani, Mickoski shpreh keqardhje
Gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti....

Gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në vendin tonë, në mes shumë temave të cilat janë biseduar, janë trajtuar edhe tema e incidentit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, si dhe fati i ish ushtarëve të UÇK-së.
Për sa i përket incidentit të Presidentes Osmani në Shkup, kryeministri Mickovski e vlerësoi si incident të pa dëshiruar dhe se në asnjë mënyrë ky incident nuk duhet t’i prishë raportet në mes të dyja vendet.
Mickoski shtoi se udhëtimet komerciale janë të njejta edhe për atë si kryeministër por edhe për zyrtarët tjerë shtetëror të vendit dhe shtetet tjera.
“Ky incident tek ne shkaktoi një ndjenjë me të cilën ne shprehim keqardhje, edhe unë vet e potencova se Presidentja e Kosovës është e mirëseardhur, sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe unë personalisht do të angazhohem nëse me kohë më njoftojnë, që ta pres në aeroportin e Shkupit, dhe derisa nuk fluturon nga Shkupi ta shoqëroj, me qëllim që t’i largojmë incidentet e tilla, e sidomos sjellja e disa individëve të brendshëm, i cili është problem i ynë që ne vet duhet ta zgjidhim” – u shpreh Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickovski.

Incidenti me presidenten Osmani, Kurti: Presim raport zyrtar
Ndërsa për Kryeministrin Kurti incidenti në Aeroportin e Shkupit ishte një përjetim i rëndë.
“Padyshim se ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e RMV-së dhe krerët shtetëror kanë shprehur keqardhjen e tyre, dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe në hollësi” – deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Fletarrest për ish ushtarët e UÇK-së, më shumë bashkëpunim mes ministrive të Drejtësisë
Një pjesë e diskutimit sipas dy Kryeministrave ka qenë edhe rasti i fletaresteve për ish ushtarët e UÇK-së, e që sipas dy kryeministrave fjalën kryesore tani e kanë dy ministrat e drejtësisë.
“Tash atë diskutim që po e bëjmë do ta vazhdojnë dy ministrat tanë të drejtësisë, ku unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë që na ndodhë kjo, ka pasë të tillë edhe në të kaluarën, dhe unë besoj se akt-gjykimet e gjykatave në RMV nga e kaluara tregojnë qartë rrugën e qartë në të cilën do të ecim në të ardhmen e afërt” – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin “Monstra”, dhe pres atë që e thash edhe në fillim që raporti në mes të dyja vende të shkojnë në drejtim të duhur” – theksoi Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickovski.
Sipas të dy Kryeministrave të gjitha këto cështje nuk duhet t’i largojnë dy vendet, dhe se hapja e diskutimeve për këto cështje nënkupton zgjedhjen e tyre. (Fitim Kryeziu, TVM2)
