Maqedoni

Këmbësorët, kategoria më e rrezikuar

20.04.2015 17:52

Në një fatkeqësi trafiku në afërsi të hotelit “Aleksandër Pallas” është lënduar një këmbësor...

Duke menduar se vendi nuk është i frekuentuar, këmbësori nuk ka shikuar me kujdes gjatë kalimit në anën tjetër të rrugës.
 
Atë e ka goditur një veturë, shoferi i të cilës ishte në gjendje të dehur. Edhe pse tingëllon si reale, për fat të mirë kjo është vetëm një stërvitje simulative për këmbësorët të cilët janë kategoria më ë rrezikuar në trafik.
 
“Dërgojmë porosi deri te këmbësorët që me kujdes dhe me përgjegjësi të sillen në trafik dhe njëkohësisht u bëjmë thirrje ngasësve të veturave të kenë kujdes dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe këmbësorët, sepse edhe ata janë pjesëmarrës në trafik”- deklaroi kryetari i ERSR-së, Stojçe Stamenovski.
 
Se si duhet të jepet ndihma e parë në aksidente trafiku, qytetarët do të mund të informohen edhe nëpërmjet aplikacioneve në celularët e tyre. Megjithatë, nuk mundet tërësisht ta zëvendësojë trajnimin praktik.
 
“Edhe më tej apelojmë dhe i sugjerojmë të gjithë, në suaza të mundësive, edhe më tej të ndjekin ligjëratat dhe trajnimin që organizon Kryqi i Kuq i Maqedonisë, sepse kjo është në të mirë të vetë qytetarëve”- tha sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
 
Që nga fillimi i vitit kanë humbur jetën shtatë këmbësorë dhe ata llogariten si kategoria më e rrezikuar e trafik.
 
Simulimi i këtij fillimi të kësaj fushate le të jetë edhe një paralajmërim për të gjithë se rreziku gjatë kalimit të rrugës vjen për një sekondë dhe jo gjithnjë fajin e kanë shoferët.
 
Të gjithë duhet të bëjmë kujdes. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIU