Botë

Incidenti në aeroport, presidenca nuk pajtohet me deklarat politike

06.08.2024 13:42

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është pajtuar me deklaratën...

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është pajtuar me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun e tij në Shkup, duke thënë se mënyra se si u trajtua incidenti gjatë konferencës është për keqardhje.
 
Përmes një komunikate për media, presidenca ka thënë se kjo i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës. 
 
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës së Kosovës.
 
Në komunikatë poashtu thuhet se nuk duhen raporte e as hetime shtesë, sepse janë jorelevante pas pranimit të institucioneve të Maqedonisë së Veriut se ky rregull u imponua qëllimshëm.
 
Reagimi i kabinetit të Osmanit vjen pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët për medie me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, u shpreh se institucionet e Kosovës nuk kanë qëndrim se incidenti i presidentes, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, është cilësuar si provokim.
 
GYLTENE SINANI