Botë
Zgjedhjet presidenciale në ShBA: Harris, zyrtarisht kandidatja e demokratëve
06.08.2024 14:05
Kamala Harris do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit me mbështetje të plotë...

Kamala Harris do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit me mbështetje të plotë pasi u zgjodh nga votimi i brendshëm i Partisë Demokratike të ShBA-së. Ajo mori 99 përqind të rreth 4.500 votave të pjesëmarrësve delegatë, njoftoi Partia Demokratike.
Harris ishte kandidatja e vetme në votimin digjital - emërimi i saj tani duhet të vuloset zyrtarisht nga organet drejtuese të partisë dhe më pas pritet të festohet në konventën e partisë në Çikago nga mesi i muajit.
59-vjeçarja Harris tani duhet të njoftojë se me cilin zëvendëspresident do të marrë pjesë në garën për Shtëpinë e Bardhë kundër republikanit Donald Trump. Në të vërtetë, paraqitja e parë e përbashkët me kandidatin aktualisht në krah të saj është planifikuar për të martën në mbrëmje - gjatë një takimi të fushatës në Filadelfia, në Pensilvani.
Më pas, dyshja demokrate planifikon të fillojë një turne të rrufeshëm elektoral në shtetet e Wisconsin-it, Michigan-it, në Karolinën e Veriut, Xhorxhia, Arizona dhe Nevada, gjithashtu të kontestuara politikisht.
Zgjedhja e një kandidati për zëvendëspresident në një fushatë zgjedhore në SHBA është zakonisht një proces i ndërlikuar që tani duhet të përshpejtohet - pasi Harris u bë kandidate në minutën e fundit pas tërheqjes së presidentit amerikan Joe Biden.
Përveç senatorit Mark Kelly të Arizonës, guvernatori Tim Walz i Minesotës dhe guvernatori Josh Shapiro i Pensilvanisë, guvernatori J.B. Pritzker i Illinois, guvernatori Andy Beshear i Kentakit dhe sekretari i Transportit Pete Buttigieg janë gjithashtu në diskutim për pozicionin e zëvendëspresidentit.
Nëse fiton, Harris do të jetë gruaja e parë, gjithashtu dhe gruaja e parë e zezë dhe amerikania e parë aziatike që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.
FITORE DEMOLLI
