Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë, pritje mbi një orë në pikën kufitare “Tabanoc”, pritje të gjata edhe në pikat kufitare me Greqinë

06.08.2024 16:00

Karakteristikë e kësaj periudhe të vitit....

Karakteristikë e kësaj periudhe të vitit është intenziteti i shtuar i automjeteve që qarkullojnë brenda dhe jasht shtetit. Në periudhën e verës ka frekuencë të shtuar të automjeteve në vendkalimin kufitar në “Tabanoc” dhe në pikat që lidhen me Greqinë.

Pritjet e kolonave në këto pika kufitare zgjasin deri në një orë e gjysëm.  Në vendkalimet tjera kufitare, qarkullimi i mjeteve është i lirë dhe zhvillohet shpejt, pasi nuk ka rrëmujë, njoftojnë nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë.

“Për momentin në pikën kufitare ‘Tabanoc’ për dalje nga shteti ynë pritet rreth një orë, ndërsa për hyrje në shtet, pritet rreth një orë e gjysëm. Në pikën kufitare ‘Pelincë’ nuk janë regjistruar pritje, pra nuk mbahen gjatë veturat në kufi. Ndërsa në vendkalimet kufitare që lidhen me Greqinë, momentalisht për dalje nga shteti koha e pritjes zgjat rreth 30 minuta, ndërsa për hyrje në shtet në këtë pikëkalim, pritet rreth 45 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare të cilat nuk i përmenda, pasagjerët e automjeteve nuk presin aspak, pasi nuk ka rrëmujë.” – deklaroi Radmilla Popadiç nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë.

Nga Lidhja Auto-Moto, drejtuesve të mjeteve u rekomandojnë të lëvizin sipas shpejtësisë së përcaktuar, të respektojnë sinjalistikën e vendosur në komunikacion dhe të drejtojnë me kujdes veturat e tyre, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, gryka, ku ka mundësi për rrëshqitje të dheut.

Kjo veçanërisht vlen për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë, thekson LAMM.

Nga data 1 korrik deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore të vendit është vendosur regjim veror i qarkullimit, i cili ndalon lëvizjen e mjeteve të rënda me peshë totale mbi 15 tonë, gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët me temepratura ekstreme të larta.

Datat janë si më poshtë: të premten nga ora 17:00 deri në 22:00, të shtunën nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe të dielën nga ora 09:00 deri në 22:00.- shkruhet në njoftimin e publikuar në LAMM

Në rrugën kryesore A2: Shkup – Ohër – Shkup, gjatë fundjavës është i ndaluar qarkullimi i mjeteve të rënda të mallrave, masa totale e të cilave kalon 7,5 tonë.

Rruga Ohër – Resnjë, përmes Parkut Kombëtar të Galiçicës, që nga 1 prilli 2024 është e hapur për qarkullim për të gjitha automjetet me peshë totale deri në 3.5 tonë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)