VLEN: PP të hetojë ish-kuadrot e BDI-së në Lotari, Sali: Në xhep të kujt përfunduan 10 mln euro
Koalicioni VLEN para Prokurorisë Publike....

Koalicioni VLEN para Prokurorisë Publike ka kërkuar që ajo të reagojë mbi dyshimet e ngritura për korrupsion politik të drejtuar nga kuadro të BDI-së në Lotari.
Siç thonë nga VLEN, Lotaria shtetërore në mars të vitit 2023 ka regjistruar një videolotari të dytë me emrin NOVO VLT, ku në bordin mbikqyrës janë emëruar Përparim Bajrami, Artin Spahiu dhe Omer Bunjaku, të cilët sipas pushtetit janë persona të afërt me ish-zvkryeministrin Artan Grubi.
Sipas VLEN-it, NOVO VLT, nga një kompani private, ka prokuruar mijëra pajisje të kazinos, me vlerë totale prej gati 19 milionë euro, që sipas tyre paraqet gati 10 milion më shumë se sa vlera e vërtetë e pajisjeve të kazinos.
“Kërkojmë nga Prokuroria Publike të hetojë: Cilat janë motivet e këtij prokurimi publik? A është e vërtetë se në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes kornizë– marrëveshjes për prokurimit publik, çmimi i tregut për një terminal të videollotarisë ishte 3800 euro? A është e vërtetë që çmimi individual për një terminal të videollotarisë, që është rënë dakord në marrëveshjen kornizë – marrëveshjes së prokurimit publik, është 10 mijë euro apo 6.200 euro më i shtrenjtë se vlera e tij në treg? A është e vërtetë që vlera totale e blerjes kushton 9.920.000 euro më tepër se vlera e tregut të terminaleve të videollotarisë? Në xhepat e kujt do të përfundojë diferenca prej gati 10 milionë eurosh, vetëm nga ky tender?” – tha Bekim Sali nga VLEN.
Akuzat e VLEN për keqpërdorime në Lotari, Spahiu: VLEN për të mbuluar skandalet, shpif
Në lidhje me këto pretendime të koalicionit VLEN kanë reaguar nga BDI, duke thënë se këto para nuk janë mjete buxhetore dhe se tenderimi është bërë përmes një kompanie private.
“VLEN edhe njëherë shfaq injorancën maksimale, si pasojë e të qenurit vazal dhe jolegjitim me detyrë për të poshtëruar shqiptarët, sepse “akuzon” për tender të cilin e shpall një kompani private, me procedura dhe buxhet të tyre e jo me mjete buxhetore. Kjo mungesë alarmante e dijës dhe e kapaciteve drejtuese po i turpëron shqiptarët. Çdo përpjekje për ta defokusuar opinionin me kotësira dhe gënjeshtra të përditshme, nga fakti që jeni jolegjitim, vazal, puthadorë, shërbëtor dhe poshtërues të shqiptarëve, nuk ju kalon!”, thuhet në reagimin e BDI-së, ku njëkohësisht kanë ftuar për veting ndërkombëtar ndaj politikës, gjyqësorit, prokurorisë dhe biznesit në 32 vitet e fundit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
