Parandalohet sulm terrorist në Austri, arrestohet 19 vjeçari me origjinë nga RMV
Organizatorët kanë anuluar tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift...

Organizatorët kanë anuluar tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift, në Austri, pas arrestimit të dy personave simpatizant të grupit ekstremist, Shteti Islamik në lidhje me planifikimin e një sulmi terorist.
Autoritetet kanë konfirmuar se i dyshuari i parë është 19-vjeçari Muhamed, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, shtetas i Austrisë.
Të arrestuarit dyshohen për planifikim të një sulmi në rajonin e Vjenës, duke paralajmëruar se ai kishte në “fokus” tri koncertet që ishin paraparë të mbante Swift.
Në koncertin treditorë pritej të merrnin pjesë rreth 100 mijë adhurues të këngëtares. Personi i arrestuar, që “javët e fundit” ishte zotuar për besnikëri ndaj IS-it, u arrestua në një vendbanim rreth një orë nga Vjena, tha shefi kryesor i sigurisë në vend, Franz Ruf.
“19 vjeçari, shtetas i Austrisë u arrestua në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa arrestimi i dytë u bë në Vienë. Hetimet treguan se të dyshuarit janë radikalizuar në internet. 19 vjeçari është betuar në besnikëri ndaj udhëheqësit aktual të shtetit islamik. Në korrik të këtij viti të dyshuarit janë përgaditur për sulm terrorist. Dyshuam se kishte lëndë shpërthyese në vendet ku qëndronin të dyshuarit. Ekspert për deminim të njësiteve speciale ishin në atë vend. Vlerësojmë se qëllim i sulmit ishin ngjarjet në rajonin më të gjërë në Vienë.” – tha Franz Ruf, Drejtor i sigurisë publike në Austri.
Në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet austriake gjetën substanca kimike. Të dëshpëruar për anulimin e koncertit janë adhuruesit e këngëtares Swivt, por janë edhe të kënaqur për reagimin e shpejtë të autoriteteve austriake për parandalimin e sulmit terrorist.
“Erdhëm nga Neapoli, kemi blerë biletë para një viti, e prisnim koncertin, me të vërtet keq.” – tha një qytetar nga Neapoli.
“Në internet, në instagram na thane se të gjithë koncertet janë anuluar.”- u shpreh një qytetare nga Neapoli.
“Erdhëm nga Holanda, jam nga Gjermania, kam udhëtuar 17 orë me tren.” – deklaroi një qytetare nga Gjermania.
“Erdha nga Gjermania, me të vërtetë është për keqardhje, kishte shumë prindër me vajzat në stadion. Dëshpërim i madh.” – theksoi një tjetër qytetare nga Gjermania.
Sipas hetimit fillestar, të dy të dyshuarit ishin radikalizuar në internet dhe ishin betuar për besnikëri ndaj SHtetit Islamik. (Sanije Duraku, TVM2)
