Qendra për Menaxhim me Kriza, 40 vatra të reja zjarri hapen çdo ditë
Situata me zjarret ështe shumë alarmante...

Situata me zjarret ështe shumë alarmante. Mbi 40 vatra të reja zjarri shkaktohen çdo ditë dhe një gjë e tillë nuk është normale, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov.
Sipas tij, zjarri në afërsi të Kozjakut, ka arritur në vikend-lagjen dhe se ekipet e zjarrëfikësve do të vazhdojnë me shuarjen e tij.
Ai apelon për rritjen e vigjilencës dhe përgjegjësisë,pasi shtron dyshime për zjarrvënje të qëllimshe.
“Është e vështirë të shpjegohet shkaktimi i 40 zjarreve të reja brenda një dite. Në përditshmëri kemi shfaqjen e 35-40 elementeve. Dyshoj se një pjesë e mirë janë zjarrvënie e qëllimshme sepse nuk është normale të ketë 35-40 zjarre në një ditë. Ose bëhet fjalë për papërgjegjshmëri totale të individëve të caktuar ose për ndonjë qëllim. Shumica e zjarreve janë zjarrvënie dhe për këtë apeloj qytetarët nëse vërejnë person të dyshimtë në afërsi të pyjeve të lajmërojnë 112” – tha Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov.
Duke folur për zjarrin në afërsi të fshatrave Breznicë dhe Tazhevë, Angellov tha se ka 19 ditë që digjet dhe se përkundër të gjitha përpjekjeve të punëtorëve të “Jasen”, ka hyrë në vendgjueti.
Drejtori tha se nuk mund të mbështetet në helikopterët e dhuruara nga vendet e rajonit, pasi edhe ata përballen me zjarret.
Angellov, tha se në seancën e djeshme të Këshillit drejtues kanë marrë vendim që t’i propozojnë Qeverisë përfshirjen e mekanizmit të ndihmës së NATO-s përmes të cilit mund të kërkohet ndihmë nga zjarrfikësit me përvojë.
Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
