Nga marsi i vitit të ardhshëm pagat e mësimdhënësve do të rriten për 12%
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska....

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se në konsultim me Ministrinë e Financave, kanë ardhur në përfundim që pagat e mësimdhënësve nga muaji mars i vitit të ardhshëm të rriten për 12 për qind.
“Kam pasur dy takime me SASHK-un. Mund të them se kemi pasur takime konstruktive dhe mirëkuptim të madh, por jo vetëm me SASHK-un, por edhe individualisht me grupe të mësimdhënësve. I kam kërkuar si para dhe pas zgjedhjeve që të kenë pak durim. Unë e di se çfarë do të thotë rrogë, dhe e di se çfarë do të thotë të jetosh me rrogë, por ju e dini borxhin e ministrisë, e dini borxhin e shtetit, kështu që për këtë vit realisht nuk kemi mundësi të ndërmarrim asnjë aktivitet serioz në atë drejtim. Janë bërë diskutime serioze në Qeveri dhe me ministrin e Financave dhe në mars të vitit të ardhshëm do të kenë një rritje prej 10-12 për qind, varësisht si ecën BPV-ja dhe sipas marrëveshjes kolektive. Mendoj se do të jetë rritje e pagave prej 12 për qind”, tha Janevska.
Ministrja Janevska tha muajin e kaluar se do të bëjnë të gjitha përpjekjet që pagat e arsimtarëve të rriten gradualisht, duke shprehur besimin se deri në fund të mandatit do të nënshkruhet një marrëveshje e re kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm.
