Vetingu kundër korrupsionit, VLEN: Me amendament të ndryshojmë kushtetutën
Koalicioni VLEN doli me propozim konkret...

Koalicioni VLEN doli me propozim konkret kundër korrupsionit politik. Me amendament do të synojnë plotësimin e nenit 52 të kushtetutës për rishikimin e të gjitha procedurave gjyqësore ndaj ish funksionarëve ose atyre aktualë, të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetërsimit të lëndës.
Periudhën që vijon do të ketë debat të gjerë për t’u përpiluar ndryshimi adekuat duke u bazuar edhe në praktikat kroate por edhe propozimin e Alternativës të para disa viteve.
Kërkuan nga BDI të prononcohet me automatizëm, ndërkohë u shprehën pozitivisht për mbështetje brenda qeverisë.
“Amendamenti i propozuar do të jetë bazë dhe do të hapë mundësinë për ndryshime dhe plotësime me një nen të ri 112-a në Kodin Penal, ku të parashikohet dispozitë me të cilën veprat eventuale penale të kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilat janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, të mos vjetërsohen kurrë. Kjo përfshin edhe zgjerimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, të regjistruar në emër të personave të tjerë.” – tha Zëdhënësi i VLEN, Fari Hiseni.
BDI: Veting ndërkombëtarë për drejtësi joselektive
Nga BDI vlerësojnë se përpjekjet për vendosjen e drejtësisë joselektive janë të dështuara duke e shpier në 2% besimin në gjyqësor, si pasojë e presionit partiak në të gjitha vitet e pas pavarësisë, nga partitë politike maqedonase.
“Është koha që të vendoset një veting i monitoruar ndërkombëtarisht për të gjithë politikanët, gjyqtarët, prokurorët, oligarkët, por edhe për privatizimin dhe tranzicionin në 32 vitet e pavarësisë. U bëjmë thirrje partive politike të kapërcejnë veten, dhe së bashku të miratojmë ligjin për një verifikim të monitoruar ndërkombëtarisht të të gjitha akuzave që nga pavarësia e deri më sot”, - thuhet në reagimin e BDI-së.
Ditë më parë nga VMRO-DPMNE shfaqën dyshime ndaj pretendimeve të BDI-së për veting. Sipas partisë së Mickoskit ekzistojnë ligje kundër krimit të cilat vetëm se duhet respektuar. (Meral Ismaili, TVM2)
