Forcat ukrainase, vazhdojnë përparimin në territorin rus

09.08.2024 19:00

Forcat ukrainase vazhdojnë të përparojnë...

Forcat ukrainase vazhdojnë të përparojnë në territorin rus. Pas Kurskut, sulmet ukrainase kanë vazhduar në Lipeck. Fluturaket pa pilot kanë goditur një bazë ushtarake në zonë, duke shkaktuar një zjarr të madh. Të paktën nëntë persona janë lënduar, konfirmoi guvernatori Artamonov gjatë vizitës së të plagosurve në spital.

“Lipeck është i ekspozuar ndaj një sulmi masiv me dron. Kishte shpërthime të objekteve të rrezikshme shpërthyese". – tha Igor Artamonov, Guvernator i rajonit rus Lipeck.

Katër fshatra janë evakuuar pasi është shpallur përkohësisht alarmi i kuq. Mbrojtja ruse pretendon se ata kanë rrëzuar mbi 70 dronë ukrainas mbi shtatë rajone dhe Detin e Zi dhe kanë shkatërruar shtatë anije pa njerëz që shkonin drejt Krimesë. Në Kursk, luftimet vazhdojnë.

“Armiku me këmbësorë dhe automjete luftarake ka tentuar të kaloj kufirin tonë shtetëror. Shtabi u mblodh menjëherë dhe unë bashkë me të gjithë anëtarët e shtabit e koordinojmë këtë çështje. Po evakuojmë njerëzit me autobusë dhe trena. Tashmë kemi rritur numrin e shtretërve, kanë ardhur edhe 60 mjekë të kualifikuar”. – u shpreh Aleksej Smirnov, U.D guvernator i rajonit të Kurskut.

Ushtria ruse pretendon se po bllokon forcat ukrainase që të depërtojnë më thellë në rajon. Presidenti rus Putin urdhëroi që banorëve të rajoneve të prekura nga sulmet ukrainase t'u jepen të gjitha ndihmat e nevojshme.

“Guxim dhe qetësi në zgjidhjen e këtyre detyrave komplekse, të vështira dhe të jashtëzakonshme. Është marrë vendimi për një pagesë prej 10 mijë rubla për qytetarët në nevojë dhe do tu ndahen resurset e nevojshme. Për më tepër, dëmet e tjera do të duhet të vlerësohen.” – tha Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti ukrainas Zelensky, nga ana tjetër, tre ditë pas pushtimit ukrainas të Kurskut, tha se Moska duhet të ndjejë pasojat e sulmit të saj ndaj Ukrainës.

“Ukrainasit dinë si t'i arrijnë qëllimet e tyre. Arritja e qëllimeve në luftë nuk ishte zgjedhja jonë. Rusia solli luftën në vendin tonë dhe duhet të ndjejë atë që ka bërë”. – theksoi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas autoriteteve ruse të paktën 1,000 trupa ukrainase, të mbështetur nga tanke dhe automjete të blinduara, kanë hyrë në rajonin e Kurskut të martën në mëngjes.