Maqedoni
Shënimi i marrëveshjes kornizë, VLEN: BDi nuk mund ta privatizojë MO-në!
10.08.2024 17:07
Koalicioni VLEN ka vazhduar akuzat drejt BDI-së se kjo parti politike...

Koalicioni VLEN ka vazhduar akuzat drejt BDI-së se kjo parti politike dhe kreu i saj Ali Ahmeti po devalvojnë festën shtetërore dhe institucionale të ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me një festë private. Kjo sipas VLEN-it paraqet mungesë të kapacitetit të brendshëm të BDI-së për reforma programore dhe kadrovike.
“E informojmë opinionin se menjëherë pasi zyrtarisht iu dërguan ftesat për shënimin e kësaj date historike, BDI dhe Ali Ahmeti vendosi ta devalvojë festën shtetërore dhe institucionale të ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me një festë private. BDI e përdorë Marrëveshjen e Ohrit si mburojë për ish zyrtarët e saj të korruptuar. Këto synime tinëzare të BDI-së janë lexuar nga qytetarët. Çdoherë kur ata thonë ‘Marrëveshja e Ohrit’ dhe tentojnë të imponojnë tema si ‘legjitimieti’ nënkuptojnë defokusim për t’i shmangur temave për skandale korruptive dhe përgjegjësisë gjatë regjimit 22 vjeçarë.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Përndryshe përveç manifestimit insitucional, me rastin e 23 vjetorit të shënimit të Marrëveshjes së Ohrit, edhe Fronti Europian për të martën ka paralajmëruar një akademi solemne për të shënuar këtë ditë.
Përndryshe Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të vitit 2001, ndërsa qëllimi kryesor i saj ishte përmirësimi i statusit të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike në Maqedoni të Veriut.
ERSAN PAJAZITI
