Maqedoni
Fondet IPA, qeveria do të shkarkojë kryerevizoren Vërzivolli
10.08.2024 17:53
Pas reagimeve në opinion se nuk i plotëson kushtet për ushtrimin e funksionit...

Pas reagimeve në opinion se nuk i plotëson kushtet për ushtrimin e funksionit, Qeveria paralajmëron se do ta shkarkojë kryerevizoren e Trupit për revizionin e fondeve IPA, Afrona Verzivolli.
“E njoftojmë opinionin se e sapoemëruara Afrona Verzivoli gjatë ditës së nesërme do të shkarkohet nga pozita e revizorit të fondeve IPA. Njëkohësisht, theksojmë se është e nevojshme dhe vëmendja të drejtohet kah keqpërdorimet e hapura të parave nga BE-ja dhe fondet e vendosura në dispozicion të cilat ishin të pranishme në periudhën e kaluar, ndërkaq për të cilat ekzistojnë edhe gjurmë të shkruara dhe njoftim nga Zyra Evropiane për Luftë Kundër Korrupsionit, të cilat për shkak të punës së tillë kërkojnë nga shteti pagesë të disa miliona eurove”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Nga koalicioni VLEN theksojnë se që para disa ditësh e kanë tërhequr emërimin e Afrona Vervizolit si auditore e fondeve IPA, përskaj biografisë të shkëlqyeshme dhe përvojës së konsiderueshme profesionale.
“Ky vendim është marrë për të siguruar që të gjitha standardet dhe kërkesat e rrepta të Bashkimit Evropian do të përmbushen plotësisht, ndërsa Afrona e përmbush obligimin e saj për marrjen e çertifikatës. Për më tepër, konsiderojmë se është me rëndësi thelbësore t’i kushtohet vëmendje hulumtimit dhe zbulimit të abuzimeve të fondeve të BE-së që kanë ndodhur në të kaluarën.”, theksuan nga VLEN.
Ky rast u bë shkas për shkëmbimin e akuzave mes pushtetit dhe opozitës. LSDM kritikoi pushtetin për emërimin e kuadrove të pakualifikuar.
“Për Mickoskin dhe VMRO-DPMNE-në, në rend të parë është dëgjueshmëria dhe përkatësia partiake, ndërkaq kualifikimet duket se janë në vend të fundit. Mu kjo politikë i dekurajon qytetarët dhe profesionalistët të cilët e humbin besimin në institucion dhe kërkojnë punë jashtë vendit.”, thonë nga LSDM.
VMRO-DPMNE nga ana tjetër akuzojnë qeverinë e kaluar se kanë keqpërdorur mjete të Bashkimit Europian.
“LSDM duhet ta dijë se përgjegjësia për gjithçka që kanë bërë do të vijë shumë shpejt nga sot. Askush nuk do të kursehet për abuzimin me paratë e qytetarëve apo paratë e partnerëve tanë ndërkombëtarë të destinuara për popullin dhe shtetin, të cilat përfunduan në xhepat e dikujt.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, trupi për revizion apo kontroll të fondeve të IPA-s, është trup i jashtëm dhe i pavarur, i cili është përgjegjës për të kontrolluar dhe të japë mendim për menaxhimin dhe shpenzimin e fondeve që Bashkimi Evropian ia jep Maqedonisë së Veriu nëpërmjet programit IPA.
ERSAN PAJAZITI
