Maqedoni
Kuvend, ribalanci i amenduar, para deputetëve
11.08.2024 15:43
Të hënën fillon debati treditor për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024...

Të hënën fillon debati treditor për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024, në kuadër të seancës së 12-të të Kuvendit. Propozimi i plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024, në lexim të dytë, është pika e shtatë e rendit të ditës së mbledhjes.
Konform Rregullores së Kuvendit, debati rreth propozimit për ndryshim dhe plotësim të Buxhetit, përkatësisht pas propozimit të plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit në seancën e Kuvendit zgjat më së shumti tri ditë.
Ribalanci e kaloi debatin e përgjithshëm dhe debatin e amandamenteve në Komisionin për Financim dhe Buxhet, në të cilin janë miratuar disa amendamente, pas çka Qeveria më 6 gusht e miratoi edhe ribalancin e plotësuar të Buxhetit me të cilin, siç bëri të ditur, sigurohen mjete plus – për paga edhe për furnizim të pajisjeve për më shumë institucione.
Me ribalancin e përgatitur dhe të përmirësuar parashikohen mjete për shërbimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe obligimeve deri në fund të vitit – për pensionistët, për të punësuarit në administratë, për biznesin, shëndetësinë.
“Janë siguruar mjete për pagesë dhe rritje të pagave në administratën publike, në përputhje me të gjitha marrëveshjet kolektive të nënshkruara”, - theksoi pak ditë më parë ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Me ribalancin janë siguruar 5,1 miliardë denarë shtesë për pagesën e pensioneve, 800 milionë denarë për shfrytëzuesit e së drejtës për ndihmë minimale të garantuar, 1,7 miliardë denarë për shëndetësi, një miliard denarë për Zonat Zhvillomore Teknologjike Industriale, 1,7 miliardë denarë për subvencione dhe transfere 437 milionë denarë shtesë për mbështetje direkte financiare në sektorin e bujqësisë, 437 milionë denarë shtesë për shujtat e studentëve, si dhe 207 milionë denarë për pagesën e bursave, ndërsa gjashtë miliardë denarë janë ndarë për projekte nëpër komuna.
FARIJE DAUTI BAKIU
