Maqedoni
QMK: Vazhdon beteja me zjarret, nga 42 vatra të reja zjarri, vetëm 6 janë aktive
11.08.2024 16:29
Ekipet e zjarrëfikësve pas një beteje të madhe me zjarret...

Ekipet e zjarrëfikësve pas një beteje të madhe me zjarret, kanë arritur të shuajnë 31 vatra zjarri nga gjithësej 42, në ambient të hapur, në të gjithë territorin e vendit, nga të cilat aktualisht 6 janë aktive, 5 janë nën kontroll, njoftojnë nga QMK. Rreziku më i madh nga flakët e zjarrit është në komunën Makedonski Brod, pasi flakët e zjarrit përhapen në afërsi të fshatrave Tazhevë dhe Breznicë.
Në komunën e Çashkës, digjet pyll i përzier pranë vendbanimeve Oreshë dhe Papadishtë; Në komunën e Novacit, zjarri ka marrë kahje drejtë Makovës dhe Parallovës, një territor vështir i qasshëm për ekipet e zjarrëfikësve dhe ekziston rrezik për shpërthim të madh, pasi në këto zona mund të jenë fshehur municione nga ushtarët gjatë betejave që janë zhvilluar në këto anë, thotë Aleksandër Angelevski, ekspert për siguri nga zjarret
“Kemi patur një betejë të madhe me zjarret në komunën e Novacit, konkretisht në vendin e quajtur ‘Stastivlivë’ dhe vendbanimet përreth. Ajo që dua të them është se na ndihmuan diku rreth 30 vulletarë që jetojnë afër këtyre vendbanimeve. Nga vetë komuna na kërkuan ndihmë dhe menjëherë derguam në teren ekipin e parë dhe ndaloi në fshatin Skoçivir, pasi zjarri ishte afër shtëpive, por për fat të mirë nuk është djegur asnjë shtëpi banimi, janë djegur vetëm disa shtëpi të braktisura prej vitesh që nuk jeton askush aty. Mbrapa meje këtu zjarri ka marrë kahje drejt Makovës dhe Parallovës, bëjmë përpjekje për ta shuar sepse në këtë zonë mundësit për shpëthime janë të mëdha, pasi ka municione të lëna nga ushtarët, nëpër betejat luftarake që janë zhvilluar”, theksoi Aleksander Angelevski, magjistër për siguri nga zjarret.
Zbulohen piromanët në Patishka Rekë, arrestohet i ati dhe djemtë e tij
Ndërkohë zjarre ka patur edhe në vendbanimet shqiptare në Patishka Rekë, ku ekipet e QMK-së, kanë arritur t’i lokalizojnë, pas çka janë zbuluar edhe piromanët. Prokurori Publik deri te Prokuroria Themelore e Shkupit ngriti procedure kundër tre personave – për zjarrëvënje të qëllimshe në këtë fshat. Janë arrestuar i ati dhe dy djemtë e tij për dyshime se bashkërisht kanë kryer vepër penale.
“Dy bashkëkryesit, më 9 gusht, kanë nxitur zjarrin duke ndezur zjarr në rrugën lokale në vendin e quajtur “Gropat” në Patishka Rekë. Me shkrepse kanë ndezur kullota të thata. Toka e djegur është prone e shtetit dhe ka pasur rrezik që zjarri të përhapet më tej deri në parkun nacional “Jasen”. - thonë nga Prokuroria.
Të dyshuarit i ka denoncuar një bari që ndodhej në zonë duke kullotur bagëtitë, kurse zyrtarët policorë i kanë gjetur me disa litra benzinë që e kanë përdorur për ndezjen e zjarrit. Prokurori Publik propozoi paraburgim, ndërsa Gjykata Penale u caktoi paraburgim prej 8 ditëve.
FARIJE DAUTI BAKIU
