Maqedoni
VLEN: A ka veting më të besueshëm se lista e zezë e ShBA
11.08.2024 16:52
Vetingu shkas për përplasje në mes subjekteve politike shqiptare...

Ndonëse BDI kërkon veting të monitoruar ndërkombëtarisht për krimin dhe korrupsionin, VLEN mbetet prapa idesë për ndryshime kushtetuese, që siç thotë, përgjegjësia gjyqësore për korrupsion të kryer politik nuk mund të jetë një problem ndërkombëtar.
Sipas koalicionit VLEN ideja e BDI-së është përpjekje për të manipuluar opinionin.
“A ekziston një veting ndërkombëtar më i besueshëm për një politikan sesa lista e zezë e SHBA-së? Të kesh Ramiz Merkon në radhët e tua, të kesh Menduh Thaçin si emisarin kryesor politik, dhe të flasësh për veting ndërkombëtar është një nënvlerësim i pabesë ndaj shqiptarëve, të cilëve u ke kërkuar mbështetje për 22 vjet në zgjedhje. Të përpiqesh tani të mashtrosh publikun me tezën se të korruptuarit janë në partitë e tjera dhe të paraqitesh si viktimë, vetëm sepse po vjen koha që ish-funksionarët e tu të korruptuar të përgjigjen për pasurimin me paratë e popullit, është qyqarllëk dhe e turpshme.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
BDI: Veting ndërkombëtar për krimin urban
BDI ndërkohë shpreh shqetësimin e saj për reagimin e fortë që po shohin ndaj kërkesës për një veting të monitoruar ndërkombëtarisht. Nga partia e Ahmetit parashtrojnë pyetjen a është kjo frikë e dukshme e lidhur ngushtë me veprimtarinë kriminale të oligarkëve të mafias urbane në komuna.
“Ndërtimet ilegale jo vetëm që kanë ndihmuar në krijimin e pasurive të jashtëligjshme për ta, por gjithashtu kanë sjellë një ngushtim të rëndë të hapësirës së jetesës për qytetarët. Koha për t’i dhënë fund këtij krimi urban është tani. Koha për drejtësi është tani, përmes një vetingu të monitoruar ndërkombëtarisht. Koha për veting ndërkombëtar duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pa përjashtuar asnjë”,- thuhet në komunikatën e BDI-së.
ERSAN PAJAZITI
