Botë

Rrëshqitje dheu në Uganda: 18 të vdekur, dhjetra të ngujuar

11.08.2024 18:47

Të paktën 18 persona kanë vdekur pas rrëshqitjes së dheut...

Të paktën 18 persona kanë vdekur pas rrëshqitjes së dheut, në një deponi masive plehrash në kryeqytetin e Ugandës, Kampala. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë nëpër mbeturina me shpresën për të gjetur më shumë të mbijetuar pas rrëshqitjes së dheut, e cila pasoi disa javë shiu të rrëmbyeshëm.
 
Një kodër e madhe e formuar nga grumbullimi i mbeturinave u shemb, duke groposur shtëpitë në buzë të vendit, ndërsa banorët ishin në gjumë. Ka ende njerëz nën shtëpitë e varrosura nën dhe. Numri i të vdekurve mund të rritet.
 
"Nxorrëm 14 trupa të pajetë me herët dhe tani kemi nxjerrë edhe 4 trupa të tjerë, duke bërë gjithsej 18 kufoma të nxjerra deri më tani. Të gjithë këta trupa u dërguan në morgun e qytetit Mulago", u shpreh zëdhënësi i policisë Patrik Onyango
 
"Tani po humbasim shpresën për të gjetur dikë të gjallë, por përsëri ne ende kërkojmë që edhe të vdekurit, trupat e tyre të merren dhe t'u dorëzohen të afërmve të ligjshëm", theksoi deputeti Muvada Nkunyinji.
 
Rreth 1,000 njerëz ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të rrëshqitjes së dheut. Në Kampala, shumë njerëz e sigurojnë ekzistëncën e tyre nga pirgjet e mbeturinave, duke kërkuar çdo gjë që mund të rishitet. Kryqi i Kuq i Ugandës ka ofruar tenda, për ata që kanë nevojë për strehim të përkohshëm.
 
FARIJE DAUTI BAKIU