Maqedoni

Konflikti në lindjen e mesme dhe Ukrainë, kërcënohet siguria e ballkanit dhe EJL

11.08.2024 18:24

Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe frontet e hapura në Lindjen e Mesme...

Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe frontet e hapura në Lindjen e Mesme, cënojnë sigurinë e vendeve të Evropës, thonë ekspertët e sigurisë.
 
Rendi botërorë nuk e ka qetësinë e dikurshme, pasi duket qartë se shkelen rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Penale, por edhe asaj Humaniatre. Këto konflikte kanë destabilizuar aspektin politik, ekonomik dhe drejpërdrejt elementin e sigurisë, - thotë profesori Universitar Bashkim Selmani.
 
“Aktualisht elementi i sigurisë në botë nuk ka qenë në nivelin më të lartë kritik mes superfuqive të mëdha, kur dihet se Rusia aktualisht është në gjendje lufte dhe po përkeqëson apo edhe nxit edhe shtetet tjera, të ndjekin rrugën e saj, duke bërë invazione të ndryshme, siç është rasti me frontet e reja që dita-ditës pritet të hapen. E gjithë kjo nënkupton që mënyra e udhëheqjes së shteteve ndër vete dhe nëpërmjet respektimit të së Drejtës Ndërkombëtare, gradualisht po merr kahje tjetër dhe siguria është jashtëzanonisht e kërcënuar dhe e brisht”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.
 
”Lindja e Mesme, sado që duket larg, nuk është larg, por është afër nesh. Përhapja e konfliktit në Lindjen e Mesme, do të ndikojë në të gjithë Mesdheun por edhe në Evropën Jug Lindore, për këtë arsye siguria është e kërcënuar. Në anën tjetër në kufirin e Evropës, zhvillohen luftimet ruse në Ukrainë. I gjithë ky destabilizim ka rrënuar sigurinë e të gjitha vendeve të Evropës”, theksoi Zllatko Kuzmanov, ekspet për siguri.
 
Përshkallëzimi i konfliktit në përmasa botërore mund të jetë shkatërrues për njerëzimin, thotë Selmani. Sa i përket gjendjes së sigurisë në Ballkan, Selmani thotë se Sërbia po tensionon sigurinë në rajon.
 
“Aktualisht është vetëm Sërbia ajo që nxit një situatë të tensionuar të sigurisë dhe shpresoj që superfuqitë do të gjejnë modalitetet të ndryshme, që të mos vije te rrezikimi i sigurisë së përgjithëshme në vendet e Ballkanit”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.
 
Agresioni rus në Ukrainë po zgjat 900 ditë. Në lindjen e mesme, vazhdon lufta 10-mujore në mes të Izraelit dhe Hamasit. Bashkësia ndërkombëtare nuk ia ka dalë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët në asnjërin rast. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU