Ndryshimet kushtetuese brenda 6 muajve qeverisje, Taravari: Jemi konsistent në qëndrimet tona
Nëse gjatë gjashtë muajve të para...

Nëse gjatë gjashtë muajve të para nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, VLEN mund të shqyrtojë prezencën në qeveri, paralajmëroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari. Megjithatë një vendim i tillë duhet të merret me konsultim dhe komunikim më të gjërë, duke bërë të ditur se për koalicion VLEN agjenda evropiane mbetet prioritet.
“Ne jemi konsistent në qëndrimet tona. Pas 6 muaj ulemi e bisedojmë, e rishikojmë, i konsultojmë të gjithë faktorët me relevancë që janë për ne, dhe vazhdimisht jemi në komunikim me të gjithë faktorët për një gjë që është shumë e rëndësishme për ne, ajo është që Maqedonia sa më shpejtë t’i fillojë negociata me BE-në, sepse është për të mirën e gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni” – tha Arben Taravari nga VLEN.
Shënimi i Marrëveshjes së Ohrit, Taravari: BDI organizon festa private
Ndërkohë, subjektet politike vazhduan përplasjen në lidhje me shënimin e ditës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Taravari tha se manifestimin zyrtarë e bën Qeveria, ndërsa tha se BDI gjithnjë ka pas tendenca që disa ngjarje ti privatizon.
“Unë mendoj se nuk mund të pranojnë se ata janë opozitë dhe dalngadalë duhet të jenë mysafir te ato që e organizojnë eventin për Marrëveshjen e Ohrit, por sidoqote ne nuk mund t’ua ndalojmë të organizojnë party privat, apo manifestime private, por manifestimin shtetëror e organizojnë partitë të cilat janë në pushtet. Ato janë të mirëseardhur, janë të ftuar dhe duhet ta dinë botërisht se asnjë fest, asnjë ngjarje, nuk është festë apo ngjarje private, por janë festa dhe ngjarje të cilat i takojnë qytetarëve të cilët jetojnë në RMV, konkretisht në këtë rast i takojnë shqiptarëve” – deklaroi Arben Taravari nga VLEN.
Shënimi i Marrëveshjes së Ohrit, BDI: Qeveria zvogëlon buxehtin e MO-së
Nga ana tjetër BDI e quan ofendues faktin që ministër përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, është siç thonë një putinist i përbetuar si Ivan Stoillkoviç dhe se i njejti ka zvogëluar buxhetin për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Buxheti për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit është zvogëluar me vendim të qeverisë monoetnike dhe aminin e vazalëve puthadorë të cilët kanë okupuar institucionet e shtetit pa legjitimitetin e votuesit shqiptarë, por me preferencë të VMRO DPMNE-së si në kohërat e monizmit dhe të Millosheviqit.”, thuhet në reagimin e BDI-së, duke thënë se BDI nuk do të qëndrojnë duarkryq, prandaj kanë angazhuar ekipin e Paul Williams për të hartuar platformë ligjore mbi legjitimitetin. (Ersan Pajaziti, TVM2)
