Rebalanci i buxhetit për vitin 2024, projekte kapitale, rritje pagash dhe pensionesh
Rebalanci i buxhetit para deputetëve për votim...
Rebalanci i buxhetit para deputetëve për votim, i cili parashikon më shumë projekte kapitale, rritje të pensioneve dhe pagave si dhe punësimeve të reja në shëndetësi. Ministrja e financave theksoi se rritje do të ketë në më shumë fusha dhe institucione.
“Ribalanci i buxhetit për vitin 2024-të paraqet përpjekje të qeverisë së re të sigurojë likuiditet për servisim të të gjitha obligimeve deri në fund të vitit duke siguruar njëkohësisht funksionim normal të institucioneve dhe realizim të projekteve të cilat kanë dinamikë adekuate.” – deklaroi Ministreja e Financave, Gordana Dimitrievska – Koçovska.
Nga LSDM thanë se s’do mbështesin rebalancin për buxhetin pasi nuk janë marrë parasysh vërejtjet e tyre për mangësitë të rebalancit.
“Nuk janë parashikuar mjete financiare për rritje të pagave në arsim edhe spe ekzistojnë të ardhura më shumë në buxhet për 10%. Njëkohësisht nuk janë parashikuar financa për mbulimin e obligimeve për mbrojtje sociale.” – tha Deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Kuvend, lojrat e fatit zhvendosën debatin nga Buxheti
Debati për rebalancin e buxhetit, që do të zgjasë tre ditë, nisi pas një përplasje të gjatë midis deputetëve të Frontit Europian dhe atyre të shumicës me heqjen nga rendi i ditës të lojrave të fatit propozuar nga Fronti Europian.
Pika u tërhoq me propozim të deputetëtit VMRO – DPMNE-s, Bojan Stojanovski, I cili kërkoi paraprakisht interpretim autentik të ligjit.
“Do t’iu japim mundësi organeve shtetërore që të bëjnë revizion dhe të shohin se kush dhe pse ka dhënë liçenca edhe pse ligji pamundëson këtë, kush dhe pse nga shoqatat të organizojnë lojra të fatit dhe të mos paguajnë tatime ndaj shtetit dhe atëherë do të arrihet efekti që ofron ligji.” – tha Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Reagoi deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti, duke hedhur akuza ndaj koalicionit VLEN se po qëndrojnë mbrapa deputetëve të VMRO-së. Nuk mungoi kundërpërgjigja e deputetit, Halil Snopçe.
“Me çfarë dinjiteti parimor, deputetët e VLEN- it votojnë që të hiqet ky propozim ligj nga rendi i ditës. Premtuat në fushatë, urdhëroni ti mbyllim, jo tash të fsheheni pas deputetëve të VMRO-së dhe me një shumicë jolegjitime që mundoheni edhe më tutje që kazinot gjithkund të jenë prezent.” – deklaroi Deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti.
“Po ku i kishit deputetët që të votoni kundër tërheqjes. Dhjetë deputetë të VLEN-it votojnë kundër tërheqjes, ju votoni vetëm katër tërheqjes, gjithsej katëmbëdhjetë dhe tani këtu bëni teatër.” – u shpreh Deputeti i VLEN, Halil Snopçe.
Pas reagimeve të njëpasnjëshme, deputetët e Frontit Europian lëshuan sallën plenare me pretendimet se po shkelet rregullorja, e që u mohua nga kryeparlamentari, Afrim Gashi. (Meral Ismaili, TVM2)