Franca, Gjermania dhe Britania mbështesin thirrjet për armëpushim në Gaza
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe...

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i kanë mbështetur thirrjet për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe kthimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.
Në një komunikatë të përbashkët për media, ata përkrahën përpjekjen më të re të Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit për ndërmjetësimin e një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës tashmë dhjetëmujore ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Ndërmjetësit për muaj të tërë janë përpjekur t’i bindin palët të pajtohen për një plan me tri faza, sipas të cilit, Hamasi do t’i lironte pengjet e mbetura izraelite në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, si dhe të tërheqjes së Izraelit nga Gaza.
“Luftimet duhet të ndalen tani, dhe të gjitha pengjet që po mbahen ende nga Hamasi duhet të lirohen. Është nevojë urgjente për popullin e Gazës që ndihmat të durohen papenguar dhe menjëherë”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Javën e kaluar, liderët e Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit u bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të takohen për bisedime më 15 gusht, qoftë në Katar apo Doha, për finalizimin e një marrëveshjeje.
Izraeli ka thënë se do t’i dërgojë negociatorët e vet për të marrë pjesë në atë takim.
Hamasi tha fillimisht se po e shqyrtonte ofertën, por tani ka lënë të kuptohet se mund të mos marrë pjesë nëse bisedimet nuk bazohen në planin e presidentit amerikan, Joe Biden.
