Kurti takoi Komandantin e KFOR-it, biseduan mbi hapjen e urës së Mitrovicës
Kosova është shtet normal...

Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale, të hapura.
Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke theksuar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak kundër partnerëve të Kosovës. Në këtë temë Kurti ka biseduar edhe me komandantin e KFOR-it.
“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme.” – tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit mes Kurtit dhe komandantit të KFOR-it, Ulutash, KFOR-i tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin ta rregullojë atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, duke kundërshtuar hapjen e urës mbi Ibër, tha se beson se Qeveria në Kosovë po planifikon "ta hapë me forcë" urën mbi Ibër".
(Gyltene Sinani, TVM2)
