Maqedoni
Krahas temperaturave të larta punëtorët e ndërtimtarisë vazhdojnë punën
14.08.2024 15:51
Punëtorët e ndërtimtarisë vazhdojnë aktivitetet e tyre të punës edhe në temperaturat +40 gradë....

Punëtorët e ndërtimtarisë vazhdojnë aktivitetet e tyre të punës edhe në temperaturat +40 gradë. Edhe pas apeleve të autoriteteve shëndetësore dhe të qeverisë që mos të punohet kur temperaturat janë tepër të larta, fotografia në terren shfaqet e njëjtë. Nga Shaqata e Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike thonë se janë pak në numër ata punëdhënës që i respektojnë masat e qeverisë që të mos punohet në temperatura tejet të larta.
“Nuk guxojnë punëdhënësit t’i ekspozojnë punëtorët e tyre në këto temperatura ekstreme. Duhet të respektohen rekomandimet e qeverisë që mos të punohet prej orës 11 e deri në orën 16, ose të gjendet mënyrë alternative e punës, që punëtorët mos të jenë të espozuar direkt në diell gjatë këtyre orëve të ditës.”,- u shpreh Nikolla Vellkovski nga Shaqata e Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike.
Masat e qeverisë në fuqi, inspektorët në terren
Inspektorët e punës janë vazhdimisht në terren dhe kontrollojnë punën. Deri tani janë bërë 145 inspektime mbikqyrëse, nga të cilat 129 inspektime të jashtëzakonshme.
“Inspektimet janë bërë atje ku janë vërejtur punëtorë të ekspozuar në ambiente të hapura, gjatë ditës kur temperaturat janë tejet të larta. Gjatë kryerjes së inspektimeve të jashtëzakonshme janë dhënë 8 vendime për punëdhënësit me urdhër për respektimin e rekomandimeve dhe 9 vendime për ndalim të punës për mosrespektim të rekomandimeve.”- thuhet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Pavarësisht se inspektorët janë vazhdimisht në terren, ata nuk arrijnë t'i vizitojnë të gjitha aktivitetet ndërtuese, për shkak se ekziston mungesë e kuadrit të inspektorëve. Kanë reaguar edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se rekomandimet janë të domosdoshme në këto temperatura dhe punëdhënësit patjetër t’i respektojnë, që mos të vijë deri tek dëmtimi i shëndetit të punëtorëve.
Masat e qeverisë parashohin që mos të punohet në ambiente të hapura prej orës 10 deri në orën 17, apo më saktë atëherë kur temperaturat shënojnë mbi 40 gradë celsius dhe vendi ndodhet në fazën portokalli. Rekomandimet të tilla ekzistojnë edhe në Bashkimin Evropian, por atje, ndryshe nga këtu, ato respektohen rreptësisht.
FITORE DEMOLLI
