Rasti i Blerimit, LSDM: Fajtor është ministri Toshkovski
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani...

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i cili u arrestua muajin e kaluar nga policia maqedonase, e më pas u lirua në burg shtëpiak, është arratisur.
Këtë e kanë konfirmuar edhe nga MPB, teksa thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat që i njëjti të kapet.
Pas ikjes së Ramadanit ka reaguar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila e ka cilësuar punën e Ministrit të MPB-së, Pançe Toshkovski, si dështim total.
“Pançe Toshkovski është një zhgënjim i madh në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme. Duke qenë se ai ka më shumë se gjashtë muaj në këtë detyrë, ndërsa shteti është kthyer në Hotel Promaja, ku kriminelët ikin si të duan. Arratisja e djeshme e Blerim Ramadanit, të kërkuarit me fletarrest ndërkombëtar, është një tjetër në vargun e ngjarjeve që konfirmojnë se MPB-ja e Toshkovskit nuk ka kontroll mbi shtetin. Pyesim si është e mundur të lejohet arratisja e një të burgosuri të kërkuar me urdhër ndërkombëtar?” – thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Toshkovski: Pyetja duhej të drejtohet drejtë Gjykatës
Është kundërpërgjigjur vetë Ministri Toshkovski. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka theksuar se në rastin e arratisjes së Blerim Ramadanit, pyetja e vërtetë do të duhej të drejtohet drejtë Gjykatës, e cila vendosi që Blerim Ramadani të jetë në burgim shtëpiak.
“Pyetja e vërtetë do të duhej të drejtohet drejtë Gjykatës, e cila vendosi që i njëjti të jetë në burgim shtëpiak. Unë njoh jurist të shkolluar në LSDM të cilët e kuptojnë ndarjen e pushtetit dhe e dinë se MPB dhe gjykata janë institucione të ndryshme, por është për të ardhur keq që kryesia e LSDM-së dhe sektori i tyre për marrëdhënie me publikun i injorojnë këto fakte dhe akuzojnë për të fituar pikë të vogla politike. Në këtë rast MPB-ja ka vepruar në përputhje me ligjin dhe në mënyrë sa më profesionale.” – u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Taravari: Gjykata komplikoi situatën
Për rastin e Blerim Ramadanit është prononcuar edhe Kryetari i ASH-së, dhe Ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari. Sipas tij ai është dashur të lirohet që në ditën e parë, por situatën e ka komplikuar gjykata.
“Unë e di se Blerim…jam dëgjuar me Blerim Ramadanin, kam biseduar, e di se Blerim Ramadani është dashur prej ditës së parë të lirohet, por fatkeqësisht një prokuror prej Kërçove nuk e la atë mundësi që atë ditë të lirohet dhe e komplikoi situatën, më tutje çfarë ka ndodhur, nuk kam dijeni, besoj që institucionet përkatëse do të japin informata” – tha Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
BDI: Vasalët puthadorë në qeverinë monoetnike
Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një reagimi ka shprehur, siç thuhet, dëshpërim të thellë me veprimin tejet tendencioz dhe të përsëritur të institucioneve të vendit ndaj ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani.
“Humbësit e zgjedhjeve, vasalët puthadorë në qeverinë monoetnike, të cilët nuk kanë legjitimitetin e votuesve shqiptarë, por janë të preferuarit e VMRO-së, u krekosën që e kanë liruar Blerim Ramadanin, duke e mashtruar opinionin kombëtar sepse atij vetëm iu ndryshua masa e sigurisë, ndërsa dje, policia vendosi ta arrestojë përsëri dhe ta dërgon në paraburgim aktiv. Shqiptarët janë jetim dhe të poshtëruar me këta hyzmeqar pa asnjë kapacitet kombëtar e institucional. Poshtërimi çdo ditë po thellohet dhe nuk kalon asnjë ditë e vetme pa skandal të përmasave dekadëshë” – thuhet në komunikatën e BDI-së.
Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.
Gjykatat në vend më 1 gusht sollen vendim që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak, dhe sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Neredimes verën e vitit 1999. (Fitim Kryeziu, TVM2)
